2016-05-08 16:25:00

Kardinali Parolin mbi Kodrën e Kryqeve në Lituani: vend shprese e rezistence


Mëshira e Zotit njihet në Ngjitjen e të Birit në Qiell. Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, nga Vilnius i Lituanisë, përcolli një mesazh shprese e pajtimi, në përfundim të Kongresit Kombëtar të Mëshirës. Paradite, pas procesionit solemn nëpër rrugët e kryeqytetit lituan, Hirësia e Tij,  Legat papnor në këtë shtegtim, kremtoi Meshën përfundimtare të Kongresit, në Katedralen e kryeqytetit lituan.

Lituania është etapa e parë e shtegtimit të kardinalit Parolin në vendet baltike. Më pas do të shkojë edhe në Estoni e Letoni. Dje mundi të vizitojë Siauliai-n, Kodrën e famshme të Kryqeve, vend simbol i shpresës dhe i rezistencës, gjatë viteve të errëta të regjimit komunist. Në orët e fundit të paradites, kryesoi, në Katedralen e Vilnius, Meshën Shenjte kushtuar Shenjtorëve Stanislau e Ladislau, duke përfunduar, kështu, Kongresin Kombëtar të Mëshirës, hapur dy ditë më parë. Në homelinë, përqendruar mbi Solemnitetin e Të Ngjiturit të Krishtit në Qiell dhe në mesazhin e tij të Mëshirës, kardinali Parolin u ndalua posaçërisht tel lidhja  e ngushtë që ka qyteti i Vilnius me Mëshirën Hyjnore. Nuk është e rastit, kujtoi, që në këtë qytet artisti Eugeniusz Kazimirowski pikturoi figuren e parë të Mëshirës Hyjnore, në vitin 1934, me porosi të Shën Faustina Kowalska-s dhe të atit të saj shpirtëror, Michal Spocko. Të gjithëve na drejtohet ftesa ta provojmë mëshirën e Zotit në jetën tonë të përditshme. Ndonëse mëkatarë. E ky është mesazhi kryesor, që i drejton Kishës mbarë, Papa Françesku, në Vitin Jubilar. Mesazh, kujtoi kardinali Parolin, që edhe Shën Gjon Pali II e pati sjellë në Lituani, në vitin 1993, kur i ftoi gjithë anëtarët e klerit lituan të bëhen samaritanë të mirë ndaj vëllezërve e motrave, për të çuar deri fund procesin e pajtimit, pas viteve të pafundme, kaluar me shpirtin e brerë nga dyshimet ndaj njeri-tjetrit e nga frika e spiunimit dhe e spiunëve, që mund të ishin ku s’e pandehje! E, me ftesën për të pasur kujdes ndaj nevojave shpirtërore e trupore të të afërmit, kardinali Parolin ia besoi Vilniusin dhe mbarë Lituaninë Nënës së Mëshirës, posaçërisht  e nderuar nga populli lituan. 








All the contents on this site are copyrighted ©.