2016-05-08 14:57:00

Françesku vë në Instagram e Twitter një biletë të shkruar me dorë


Në ditën kur kremtohen Komunikimet Shoqërore, Papa Françesku botoi, në profilin e tij zyrtar Instagram e Twitter, një kirograf, shkruar me dorë: “Ty, që nga bashkësia e madhe dixhitale më kërkon bekim e lutje, dua të të them: do të jesh dhurata ime e çmuar në lutjen time drejtuar Atit. E ti mos harro të lutesh për mua e për shërbimin tim si shërbëtor i Ungjillit e i mëshirës. Franciscus”.

Folëm për këtë me imzot Dario Edoardo Viganò, prefekt i sekretarisë për Komunikimin:

Përgjigje: - Po, sot paradite Papa postoi në profilin zyrtar të Instagramit “Franciscus”, një kirograf, domethënë një biletë shkruar me dorë të vet. Pse? Sepse në këto javë lexoi disa kërkesa, disa komente për fotot e postuara  e shumëkush i kërkon afërsi e lutje… Njerëzve u duket vetja si familjarë me Papën Françesku, ngaqë e ndjejnë shumë pranë: pyesin e tregojnë problemet e tyre personale, shënojnë kërkesat e tyre, për shembull, kërkojnë një lutje për sëmundjen e një biri, apo për një dashuri të plagosur… E Papa, atëhere, deshi t‘u përgjigjet personalisht me këtë shkrim ‘banorëve të bashkësisë dixhitale” - kështu i quajti - duke kujtuar se ata bëhen zemra e lutjes së tij në këtë ditë.

Pyetje: - A është edhe fotografia e postuar në Instagram?

Përgjigje: - Po, është në Instagram, e edhe në Twitter: të mos i harrojmë dy kanalet zyrtare të Papës. Desha të kujtoj se ky mesazh, falë pasurisë gjuhësore të Radio Vatikanit, u përkthye menjëherë në 40 gjuhë. Kështu, këto fjalë plot mirësi e afërsi të Atit të Shenjtë, mund të arrijnë në gjithë botën e secili mund t’i lexojë në gjuhën e  vet.

Pyetje: - A mund të provojmë ta përshkruajmë, përmes radios, figurën në Instagramin e sotëm?

Përgjigje: - Natyrisht: është një biletë, si ato që përdoren për mesazhe të shkurtëra. Ka stemën papnore. E pastaj Papa, me shkrimin e tij tejet të imtë, me bojë të zezë, shkruan fjalët drejtuar mbarë bashkësisë dixhitale, duke theksuar: “Ju jeni për mua zemra e lutjes sime”. E, si zakonisht, edhe “Ju lutem, mos harroni të thoni një uratë për mua. Pastaj, nënshkrimi “Franciscus”.








All the contents on this site are copyrighted ©.