2016-05-07 19:13:00

Papa mjekëve të CUAMM: të jeni engjëj në Afrikën e shëndetit të mohuar


Të jeni fytyra e Kishës, që pëkulet si nënë për të mjekuar më të ligshtit, posaçërisht në Afrikë, ku shëndeti “mohohet”. Ky, urimi i Papës, shoqëruar me admirim e bekim, drejtuar OJQ-së “Mjekë me Afrikën - CUAMM”, e cila qysh nga viti 1950 punon me personelin shëndetësor dhe vullnetarët, për përmirësimin e shëndetit të kontinentit afrikan. Françesku i priti sot përfaqësuesit e saj në Vatikan.

Uganda e Tanzania, Mozambiku e Angola, Etiopia e Sierra Leone, Sudani i Jugut e sa e sa vise të tjera… Harta gjeografike e varfërisë, një grup vendesh, ku shumëkush lind duke mos e ditur sa do të rrojë, sepse mbart mbi shpatulla hipotekën e mjerimit, të kushteve ambientale kundërshtare, të demokracive tepër të brishta për t’u dhënë përgjigje urgjencave, sidomos atyre të tipit shëndetësor.

Shëndet i mohuar, veç për të pasurit

Për t’u dhënë përgjigje këtyre zonave të harruara, prej 65-vjetësh këtu shërbejnë vullnetarisht e pa protagonizma “Mjekët me Afrikën - CUAMM”, të cilët që nga viti 1950 sollën këndej pari më se njëmijë njerëz, për t’u dhënë ndihmë më të varfërve të kontinentit. E ishin nëntë mijë, mjekë, infermierë, vullnetarë e dashamirë, që e mbushën sot Sallën Pali VI, të pritur me mirënjohje pa kufij nga Papa Françesku, që dëgjoi me vëmendje dëshmitë prekëse të dy mjekëve, treguar nga drejtori, don Dante Carraro, përvojë, theksoi më pas Françesku, në favor të së drejtës njerëzore themelore të shëndetit për të gjithë:

“Shëndeti, posaçërisht ai i bazës, është faktikisht i mohuar - i mohuar - në shumë vise të botës e në shumë zona të Afrikës. Nuk është e drejtë për të gjithë, por akoma, privilegj për pak njerëz, për ata, që mund t’ia lejojnë vetes. Mundësitë për shërbimet shëndetësore, mjekimet e ilaçet mbeten akoma mirazh. Më të varfërit nuk arrijnë t’i paguajnë e janë të përjashtuar nga shërbimet spitalore, edhe nga më themeloret, ato të dorës së parë”.

“Porta shenjte” e periferive

Ju, vërejti Françesku, jeni ata të miljes së fundit të sistemeve shëndetësore e, në këto periferi gjeografike, si samaritanë të mirë, shkoni e ndihmoni Lazarët, që kalojnë çaste të vështira, duke kapëcyer portën, që të çon nga bota e parë, në të tretën, porta juaj shenjte. Për t’u siguruar, për shembull, një lindje të sigurt e dinjitoze nënave e asistencë fëmijëve të tyre, posaçërisht të posalindurve:

“Në Afrikë shumë nëna vdesin gjatë lindjes e shumë fëmijë shuhen që në muajin e parë, për shkak të ushqimit të pamjaftueshëm e të epidemive të mëdha. Ju inkurajoj të rrini në mes të këtij njerëzimi të plagosur,  që vuan: është Jezusi! Vepra juaj e mëshirës është mjekimi i të sëmurit, sipas motos ungjillore: ‘Shëroni të sëmurët!’. Uroj të jeni fytyra e Kishës Nënë, që përkulet  mbi njerëzit e ligshtë e kujdeset për ta”.

Solidaritet falas

Afrika, vijoi me forcë Papa, ka nevojë për shoqërim durimtar e të vazhdueshëm, të guximshëm e kompetent, ka nevojë për kërkime shkencore, risi e detyrë transparence ndaj donatorëve dhe opinionit publik:

“Të jeni mjekë ‘me Afrikën’ e jo ‘për Afrikën’ e kjo ka shumë rëndësi. Jeni të thirrur t’i përfshini afrikanët në procesin e zhvillimit, duke ecur së bashku me ta, duke ndarë me ta drama e gëzime, dhimbje e entuziazëm. Popujt janë autorët e parë të zhvillimit të tyre, përgjegjësit e parë. E di se përballoni sfida të përditshtme, se shërbeni falas, se ndihmoni pa interes, pa prozelitizëm e pa dëshirë për t’u zënë vendin të tjerëve. Madje duke bashkëpunuar me Kishat dhe qeveritë vendase, me logjikën e pjesëmarrjes e të ndarjes së përbashkët të angazhimeve e të përgjegjësive reciproke”.

Kisha nuk është superklinikë për vipat

Pasi kujtoi Francesco Canova-n, themeluesin e Cuamm, e atë, që e drejtoi për 53 vjet me radhë organizatën, don Luigi Mazzuccato-n, Papa përfundoi duke u treguar vullnetarëve të sotëm modelin e këtyre dy figurave historike, që patën të njëjtin ideal, të ëndërruar nga Françesku: një Kishë të varfër e për të varfërit:

“Në gjurmët e këtyre dy dëshmitarëve të misionaritetit të afërsisë, sipas mësimeve të Ungjillit, çojeni përpara me guxim veprën tuaj, duke treguar se Kisha nuk është super-klinikë për vipa, por “spital fushor’. Kishë me zemër të madhe, pranë gjithë të plagosurve e të përbuzurve të historisë, në shërbim të më të varfërve”.








All the contents on this site are copyrighted ©.