2016-05-06 13:41:00

Ëndrra e Papës për Evropën: nënë mikpritëse, e guximshme, e ndershme


"Me mendje e me zemër, me shpresë e pa nostalgji të kota, si biri që rigjen në Evropën-nënë rrënjët e veta të jetës e të fesë, ëndërroj një humanizëm të ri evropian, - tha sot Papa Françesku, në ceremoninë e dhënies së Cmimit "Karli i Madh", në Vatikan - “një rrugë të vazhdueshme humanizimi”, së cilës i duhen “kujtesë, guxim, utopi e shëndoshë e njerëzore”. Ëndërroj një Evropë të re, të aftë të jetë akoma nënë: një nënë plot jetë, sepse e respekton jetën dhe ofron shpresë për jetën" - shtjelloi Ati i Shenjtë, idenë e tij për Evropën.

"Ëndërroj një Evropë që kujdeset për fëmijët, që e ndihmon si të ishte vëlla, të varfërin dhe atë që arrin në kërkim të mikpritjes, sepse nuk ka më asgjë e kërkon strehim. Ëndërroj një Evropë, që i dëgjon dhe i vlerëson të sëmurët e të moshuarit, që të mos kthehen në objekte jo prodhuese, në hedhurina. Ëndërroj një Evropë, në të cilën të jesh emigrant nuk është krim, por ftesë për impenjim më të madh në favor të dinjitetit të njeriut".

"Ëndërroj një Evropë, - shtoi me forcë - ku të rinjtë të thithin ajrin e pastër të ndershmërisë, ta duan bukurinë e kulturës e të jetës së thjeshtë, të pandotur nga nevojat pa fund të konsumizmit; ku martesa dhe lindja e fëmijëve të jetë përgjegjësi dhe gëzim i madh, por jo problem i shkaktuar nga mungesa e një pune mjaftueshmërisht të qëndrueshme. Ëndërroj një Evropë të familjeve, me politika vërtet efektive, me në qendër fytyrat e jo numrat, lindjet e fëmijëve e jo shtimin e pasurive. Ëndërroj një Evropë që nxit e mbron të drejtat e secilit, pa harruar detyrat ndaj të gjithëve. Ëndërroj një Evropë për të cilën të mos thuhet se impenjimi i saj për të drejtat e njeriut ka qenë edhe utopia e saj e fundit" përfundoi Papa Françesku.








All the contents on this site are copyrighted ©.