2016-05-06 13:31:00

Papa: sot, një oqean me lot kërkon mëshirë


Të gjithë kemi nevojë për ngushëllimin e Zotit: dashuria e Hyjit na jep mundësinë të themi se “kur duam, asgjë dhe askush nuk mund të na shkëpusë nga njerëzit, që i kemi dashur”. Kështu foli Papa Françesku dje, gjatë mbrëmjes së lutjes në Bazilikën e Vatikanit, në festën e të Shëlbuemit. Në elter, relikja e Zojës së Lotëve të Sirakuzës, nga Sicilia, së cilës besimtarët iu lutën t’ua fshijë lotët e të ndërhyjë para Zotit për të gjitha travajët e tyre.

Lutja është ilaç për vuajtjen

Lutja, theksoi Ati i Shenjtë Bergoglio, është ilaçi i vërtetë për vuajtjen tonë. Në muajin kushtuar Zojës, pranë lotëve të saj, Papa kujtoi se pikërisht në çastin kur humbasim çdo pikë referimi, kur nuk na mbeten veç lotët, atëherë e kemi Krishtin e Zojën pranë e duke u lutur, mund ta ndjejmë këtë prani, që na ngushëllon, na mbështet e na jep shpresë. E megjithatë, ka sy, të ngulur drejt perëndimit, që nuk mbërrijnë ta shohin agimin e ditës së re, tha Papa figurativisht:

“Sa lot derdhen çdo çast në botë; njëri i ndryshëm nga tjetri; e së bashku, formojnë një lloj oqeani dëshpërimi, që kërkon mëshirë, dhembshuri, ngushëllim. Lotët më të hidhur janë ata, që shkaktohen nga ligësia njerëzore: lotët e atyre, që janë ndarë dhunshëm nga të dashurit e tyre; lot gjyshërish, nënash e baballarësh, lot fëmijësh”.

Në trishtim, sëmundje, persekutim e zi, vijoi më tej Ati i Shenjtë Bergoglio, secili kërkon një fjalë ngushëlluese, kemi nevojë për dikë që të na rrijë afër:

“Arsyeja, e vetme, nuk është në gjendje ta ndezë dritën brenda nesh, ta kuptojë dhimbjen, që provojmë e të na japë përgjigjen, që presim. Në këto çaste, kemi nevojë për arsyet e zemrës, të vetmet, në gjendje të na shpjegojnë misterin, që rrethon vetminë tonë”.

Dëshmitë

E këtë provuan njerëzit, që dëshmuan dhimbjen dhe shpresën e tyre, në Bazilikën e Vatikanit. Familja Pellegrino, me një djalë, që iku nga kjo botë, duke vrarë veten: të dy bashkëshortët dhe dy djemtë e tjerë falenderuan Zotin dhe bashkësinë “Bijtë në qiell”, që ndihmuan për t’ua fshirë lotët e hidhur:

“Shumë njerëz, që duke u nisur nga e njëjta histori, nga e njëjta dhimbje, vihen për udhë çdo ditë, që Ringjallja e Krishtit të bëhet përvojë konkrete, edhe në eksperiencën shkatërrimtare të humbjes së një pasurie më të madhe nga pikpamja njerëzore, humbjes së një biri”.

Pastaj Felix Qaiser, gazetar katolik nga Pakistani, ardhur në Itali për ta shpëtuar familjen nga dhuna e persekutimet, viktimë e të cilave janë të krishterët në vendin aziatik. Tani, falë etërve jezuitë, punon në Venedik. Vijoi dëshmia e Maurizio Fratamico, i cili së bashku me të vëllain, rigjeti kuptimin e jetës dhe fenë, i ndihmuar nga lotët e së ëmës dhe nga bashkësia “Horizonte të Reja”.

Lutja universale

Histori të lagura me lotët, që më pas i fshin feja, në një kornizë madhështore, nën tingujt e muzikës e të koreve të Kapelës Sikstine e të Teatrit të Operës të Romës. Në lutjen universale, në fund të mbrëmjes, Papa Françesku e gjithë të pranishmit, u lutën për të krishterët e persekutuar, që dhimbja e tyre të kthehet në flijim për shpëtimin e botës; për viktimat e luftës, të terrorizmit e të dhunës, duke i kërkuar Zotit të ndalë konfliktet, t’i kthejë zemrat e zotërinjve të dhunës e t’i japë paqen botës; u lutën për të shtypurit e për viktimat e skllavërive të reja; për fëmijët e abuzuar dhe për të rinjtë, të cilëve u kanë vjedhur fëmijërinë, që Ati Qiellor t’u shtrijë dorën e t’i përkëdhelë. Papa u lut në veçanti për pendimin e sinqertë të atyre, që shkaktojnë shkandulle.

Nuk jemi vetëm, tha më pas Ati i Shenjtë Bergoglio, duke iu drejtuar të pranishmëve, sepse Jezusi e di ç’do të thotë të derdhësh lot për humbjen e njeriut të dashur. Ati i Shenjtë kujtoi mallëngjimin e Jezusit, kur pa lotët e Marisë për vdekjen e të vëllait, Lazrit. E nëse vetë Zoti qan, nënvizoi Papa, edhe unë mund të qaj, duke e ditur se më kuptojnë:

“Lotët e Jezusit janë ilaçi kundër helmit të indiferencës për vuajtjen e vëllezërve të mi. Ata lot na mësojnë ta bëjmë tonën dhimbjen e të tjerëve, të marrim pjesë në shqetësimet dhe vuajtjet e atyre, që jetojnë në vështirësi. Na shkundin, që ta kuptojmë trishtimin e dëshpërimin e atyre, që s’kanë as varr për të dashurit e tyre, ku të mund t’i qajnë e të ngushëllohen. Lotët e Jezusit nuk mund të mos marrin përgjigje nga ata që besojnë në Të”.

Ashtu si ngushëllon Jezusi, edhe ne duhet të ngushëllojmë, kërkoi Françesku. Është forca e dashurisë, që e shndërron vuajtjen në shpresën e në sigurinë e fitores së Krishtit e për pasojë, edhe tonës. T’i lutemi shën Marisë, që me mantelin e saj të na fshijë lotët e të na shoqërojë në rrugën e shpresës drejt Birit të saj, Zotit tonë Jezu Krisht.








All the contents on this site are copyrighted ©.