2016-05-06 14:38:00

Françesku: dhimbja e jetuar me shpresën e krishterë, hap udhën drejt gëzimit të jetës


I krishteri nuk e anestetizon dhimbjen, por e jeton me shpresë se Zoti do t’i japë një gëzim, që askush nuk do të mund t’ia marrë: këto, fjalët e Papës në Meshën e mëngjesit, kryesuar në Kapelën e Shtëpisë së Shën Martës.

Dhimbja e gëzimi i lehonës

Në Ungjillin e ditës, Jezusi, para Mundimeve, i paralajmëron dishepujt se do të pushtohen nga trishtimi, por edhe se ky trishtim do të shndërrohet në britmë gëzimi. E më pas përdor figurën e lehonës, që: “Pushtohet nga dhimbja, sepse i ka ardhur ora; por kur e nxjerr foshnjën në dritë, nuk kujtohet më për vuajtjen e kaluar. Shpreson në dhimbje e galdon në gëzim”, komentoi Papa Françesku:

“Kjo i bën gëzimin e shpresën së bashku në jetën tonë, kur tronditemi nga trazirat, kur kemi probleme, kur vuajmë. Nuk është anestezi. Dhimbja është dhimbje, por e jetuar me durim e shpresë, të hap portën e gëzimit, që sjell fryti i ri. Kjo figurë e përdorur nga vetë Zoti, duhet të na ndihmojë shumë kur kalojmë çaste të vështira; vështirësi nganjëherë tejet të shëmtuara, vështirësi të këqija, që mund të na bëjnë deri të dyshojmë për fenë tonë… Por me gëzim e shpresë shkojmë përpara, sepse pas stuhisë  arrin njeriu i ri, ashtu si lehona që nxjerr foshnjën në dritë. E Jezusi na kujton se ky gëzim, kjo shpresë, nuk kalon kurrë më”.

Gëzim e shpresë, jo thjesht hare a optimizëm

Gëzimi e shpresa, theksoi Papa, shkojnë krah për krah:

“Gëzimi pa shpresë është thjesht dëfrim, hare kalimtare. Shpresa pa gëzim nuk është shpresë, nuk shkon përtej optimizmit. Po gëzim e shpresë shkojnë bashkë, e bashkë shkaktojnë atë shpërthim, që e bën Kishën, në liturgjinë e saj - po ia lejoj vetes ta them qartë – të brohorasë pa turp e pa frikë: ‘Galdon Kisha jote! Galdon nga gëzimi!’. Pa formalitete. Sepse kur kemi gëzim të madh, nuk ka formalitet. Gëzimi është gëzim!”.

Të dalësh nga vetvetja

Zoti - pohoi Papa - na kujton se në jetë do të ketë gjithnjë probleme e se ky gëzim, kjo shpresë, nuk janë hare karnavalesh. Janë tjetër gjë:

“Gëzimi e bën të fortë shpresën e shpresa në gëzim, lulëzon. E kështu shkojnë përpara. Por që të dyja, me këtë sjellje, që dëshiron t’u japë Kisha, me këto virtyte të krishtera, tregojnë daljen nga vetvetja. Galdimi nuk mund të mbyllet në vetvete. Shpresa të shtyn shumë përtej, është spirancë në bregun e qiellit, që të çon jashtë, larg. Të bën të dalësh nga vetvetja, me gëzim e shpresë”.

Gëzim, që nuk kalon

Gëzimi njerëzor - shpjegoi Françesku - mund të zhduket shumë shpejt. Mjafton një ngjarje e hidhur, një vështirësi. Ndërsa Jezusi dëshiron të na japë  gëzimin, që askush nuk mund të na e marrë më. Është gëzim i përhershëm. Vijon edhe në çastet më të errëta. Kështu ndodh në Ngjitjen e Krishtit në Qiell. Dishepujt, kur Krishti shkon e nuk e shikojnë më, mbeten me kokën   lart, kah qielli, me fytyra të trishtuara. Por me një trishtim, që nuk zgjat, sepse vijnë Engjëjt e i zgjojnë nga topitja. E Ungjilli i Lukës na kujton: “U kthyen të lumtur e plot me gëzim”, me atë gëzim, që buron nga vetëdija - tha Papa - se natyra jonë njerëzore hyri në qiell, për herë të parë! Shpresa për të jetuar me Zotin bëhet gëzim dhe e pushton mbarë Kishën:
“Zoti na e dhëntë këtë hir - përfundoi Françesku - hirin e gëzimit të madh, shprehje e shpresës, një shprese të fuqishme, e cila bëhet galdim në jetën tonë! E na e ruajtët këtë gëzim, këtë shpresë, kështu që askush të mos mund të na i marrë më”.








All the contents on this site are copyrighted ©.