2016-05-06 13:01:00

Cervantes, Papa, përgojimet


23 prilli i sivjetëm ishte ditë përkujtimesh të mëdha. Mbarë bota përkujtoi 400-vjetorin e vdekjes së dy gjenive, që krijuan vepra të pamort: William Shakespeare e Miguel de Cervantes Saavedra. Njëri i gjuhës angleze, tjetri, spanjolle, si Papa Françesku. E pikërisht lidhur me Françeskun duam ta kujtojmë sot autorin e Don Kishotit. Pak ditë më parë, drejtori i institutit spanjoll Cervantes, Victor Garcia de la Conche dhe drejtori i Real Academia Espanola, Dario Villanueva, shoqëruar nga akademiku Francisco Rico e ambasadori i Spanjës pranë Selisë së Shenjtë, Eduardo Guiterrez Saenz de Buruaga i dhuruan Papës dy vëllimet e veprës “Don Kishoti i Mançës” botuar nga instituti spanjoll Cervantes.  

Kjo vizitë na nxit të kthehemi 400-vjet pas në kohë. Rijetojmë atë ditë kur, pak para se të vdiste, Cervantes i shkroi një letër mecenatit të tij, Pedro Fernandez de Castro y Andrade, në të cilën pohonte: “Dje mora vajimin shenjt e sot po t’i shkruaj këto dy rreshta, S’më mbetet shumë për të jetuar”.

E pak para se të mbyllte sytë, kërkoi të varrosej në Kishën e Kuvendit të Trinitareve të zbathura, kongregatë që e ndihmoi të rifitonte lirinë, kur u zu rob në Algjeri.

Jetë plot me aventura, si ajo e krijesës së tij, kalorësit Kishoti, pas të cilit  bredhim në Spanjën e kohës së Cervantes, ku gjejmë edhe kohët tona e fytyra edhe më të vrerosura, se ajo e Kalorësit, krijuar nga shkrimtari gjenial. Gjejmë edhe vetveten, shpesh duke luftuar me mullinjtë e erës! Të cilët i pandehim viganë…

Bir i një kirurgu të shurdhër, Miguel de Cervantes lindi pranë Madridit, më 1447. Nuk u shkreh asnjë top atë ditë, siç shkrehej kur lindnin princat. Nuk ranë këmbanat e kishave, kur lindi fëmija, që do të bëhej mbret i letrave të bukura spanjolle. Nuk ranë as kur vdiq, por do të binin për qindra e qindra vjet, në kujtim të lindjes e të vdekjes së atij, që mori rrugën e ushtrisë, që u plagos në Betejën e Lepantos për të mbrojtur krishterimin nga otomanët, që ra në dorë të turqve e kaloi pesë vjet peng. Ishte viti 1575 kur, ndërsa lundronte drejt Napolit, u kap nga renegati Arnaut Mami. Të ketë qenë shqiptar, pirati me këtë emër? Peng në Algjeri, u çlirua nga etërit Trinitarë të Shën Gjonit të Mathës e u kthye në Spanjë, ku e pritën burgu, përbuzja, varfëria. Por edhe krijimi i kryevprës, Don Kishoti, pasi e kishte mprehë pendën për vjet e vjet, duke provuar të gjitha gjinitë, llojet e zhanret e letërisë. Nuk e kemi në mendje, në këtë shkrim të shkurtër, të rendisim listën e gjatë të veprave të tij. As të pikturojnë fytyrën e vrerosur të kalorësit të tij, të cilën e shikojmë edhe sot kësaj dite në shumë fytyra njerëzish të kohëve tona, edhe të atyre, që e lexojnë në gjuhën shqipe këtë kryevepër të pashoqe, falë përkthimit virtuoz të  Fan Nolit e Petro Zhejit. E shpesh, edhe në fytyrën tonë. Çka na intereson, është lidhja e Cervantesit me Papën Françesku: lidhje mes dy njerëzve me 400 vjet jete ndërmjet, e, megjithatë, tejet aktuale.

Kultura e gjerë e Papës Françesku ka në bazë gjuhën spanjolle, e, prej këndej, me sa duket, Ati i Shenjtë e njeh veprën e Cervantes aq, sa të frymëzohet prej saj për homelitë e tij, që i kundërvihen me ironi të hollë veseve, ndërmjet të cilave, thashethemet:

“E kemi zakon të bëjmë keq e të flasim keq për tjetrin, gjë që e trashëgojmë nga të parët tanë, e thithim me qumështin e nënës…”, shkruan Cervantes në veprën ‘Martesa e rreme’, e vijon: “Një përgojues i mallkuar rrënoi dy familje, ngatërroi njëzet të tjera e, kur e pyetën pse e bëri gjithë këtë gjëmë, u çudit e iu duk se po e akuzonin kot. Për dy fjalë goje! Besonte se nuk kishte bërë gjë prej gjëje. Ai, që vijon një bisedë dy orë rresht, duhet të vetëkontrollohet mirë, që të mos nisë nga përgojimet e zakonshme. Unë shikoj veten: e ndjej sesi përgojimet më mblidhen në gjuhë, si mizat në musht. E harroj se thashethemet janë më të  rrezikshme se shpata. Harroj se gjuha është shpatë me dy teha”.

Kështu Cervantes, ndërsa Papa Françesku shkruan: “Pas çdo përgojimi, fshihet xhelozia, zilia. Thashethemet e përçajnë bashkësinë, e shkatërrojnë. Thashethemet e përgojimet janë armët e djallit!”.

Për Cervantes, “Zilia është rrënja e tërë të këqijave, i bren të gjitha virtytet. E, sa më i madh të jetë virtyti, aq më e rreptë do të jetë breshëria e përgojimeve. Asnjë njeri i madh nuk shpëton nga kafshimi i përgojimit e nga ligësia e  thashethemeve”.

E kur bëhet fjalë për t’i frenuar thashethemet Cervantes shkruan: “Para se të nisësh përgojimin, kafshoje majën e gjuhës, në mënyrë që të të dhembë e të kujtohesh  për gabimin, që përgatitesh të bësh. Gëlltite fjalën, pa e nxjerrë nga goja. Sepse po doli, nuk hyn më brenda. Merr rrugët e shkatërron njerëzit”.  

E Papa Françesku: “Nuk mund ta merrni me mend sa keq i bëjnë Kishës, famullive, bashkësisë, përgojimet! Thashethemet plagosin! I krishteri, para se t’ia nisë përgojimeve, duhet ta kafshojë gjuhën! Po apo jo? Eh, më mirë të kafshojë gjuhën, sesa tjetrin. Duke e marrë nëpër gojë. Kjo do t’i bëjë mirë. Gjuha do t’i enjtet pakëz, do t’i dhembë e fjalët do të kthehenn mbrapsht”.

Papa  e Cervantes përkojnë edhe në shumë drejtime të tjera. Po ta lexojmë me këtë sy njërin e tjetrin, do të gjejmë një mori pikash takimi: “Përvujtëria - mendojnë të dy - është në bazë të të gjitha virtyteve. Ajo është nëna e thjeshtësisë e motra e vetëpërmbajtjes”.

Cervantes përdor armën e ironisë e të satirës, për t’i luftuar veset e kohës së vet.

Fjalimet e Françeskut përshkohen nga e njëjta ironi e hollë, armë e Papës kundër të metave të kohës sonë, edhe të Kishës! Përkimi ndërmjet tyre ndjehet fort edhe në stil. E, natyrisht, në gjuhë, kur Papa flet e shkruan në spanjisht, që prej kohe njihet si “gjuhë e Cervantes”

Papa Françesku e Cervantes, dy njerëz të mëdhenj! U përkasin dy kohëve të largëta e, megjithatë, kanë shumë mendime të përbashkëta. Të duket se pak ka ndryshuar kjo botë e, sidomos,  përgojimi, gjuha, që  vijon të  ndajë e të  pajtojë, të rrënojë e të ndërtojë, të mbysë e të ngjallë. Varet nga mënyra si e përdor. Na e kujton një Gjeni, që jetoi e shkroi 400 vjet më parë e një Burrë i madh që, lavdi Zotit, i prin grigjës së Krishtit.








All the contents on this site are copyrighted ©.