2016-05-06 13:29:00

Shenjtorët e javës 8 -15 maj


E diel më 8 maj, Kisha katolike kremton Solemnitetin e të Ngjiturit të Jezu Krishtit në Qiell, festën e të Shëlbuemit, siç njihet nga besimtarët shqiptarë. Gjithnjë më 8 maj kalendari kishtar përkujton Shën Viktorin, martir të Milanos, Shën Bonifacin e IV papë, Shën Benediktin e II, papë, Shën Arsenin, diakon të Romës dhe Shën Magdalenën e Kanosës.

Liturgjia e solemnitetit të të Shëlbuemit na kujton se Hyji është përherë me ne. Është pranë nesh në çdo moment të jetës sonë personale e komunitare. Të Ngjiturit e Jezu Krishtit në qiell nuk do të thotë lamtumirë e tij nga kjo botë, por është një mënyrë ndryshe e të qenurit të pranishëm (Ungjilli). Nuk është më i dukshëm për shqisat njerëzore, por për ato të fesë.

Të hënën më 9 maj, kalendari kishtar përkujton Shën Pakomin, abat dhe Shën Izainë, profet. Liturgjia e ditës pohon se ndjekur Zotin, dishepulli i vërtetë e dëshmon Krishtin e Kryqëzuar e të Ngjallur duke i lidhur ngushtë fjalët me vepra. Meriton kështu epitetin ‘njeri i drejtë’ dhe premtimin për të kundruar fytyrën e Zotit në amshim.

Të martën më 10 maj, kalendari kishtar përkujton Shën Jordanin, martir; Shën Jobin, Shën Kataldin e të Lumin Nikola Albergatin. Liturgjia e ditës na kujton se dashuria ndaj Hyjit e ndaj të afërmit është lajtmotivi i liturgjisë së Fjalës së Zotit të kësaj së diele të kohës së pashkëve. Në Ungjill, Gjoni apostull kumton se të pagëzuarit në Krishtin nuk janë më shërbëtorë, por miq të Hyjit.

Të mërkurën më 11 maj, kalendari kishtar përkujton shën Injacin e Làkonit; shën Antimin, martir; shën Gualtierin apo Walterin. Liturgjia e ditës pohon se ndjekur Zotin, dishepulli i vërtetë e dëshmon Krishtin e Kryqëzuar e të Ngjallur duke i lidhur ngushtë fjalët me vepra. Meriton kështu epitetin ‘njeri i drejtë’ dhe premtimin për të kundruar fytyrën e Zotit në amshim.

Të enjten më 12 maj, kalendari kishtar përkujton Shën Nereun dhe Akuileun. Liturgjia e ditës na kujton se sipas traditës së përçuar nga Papa Damasi, ishin dy ushtarë, të cilët u kthyen në fenë e krishterë duke parë forcën e martirëve. U dënuan në Romë nën perandorin Dioklecian, u mbytën me shpatë dhe u varrosën në varrezat e Domitilës.

Të premten më 13 maj kalendari kishtar kremton festën e të Lumes Zojës së Bekuar të Fatimës së Portugualisë, e cila iu duk për herë të parë tre barinjve të vegjël pikërisht në këtë datë, më 1917. Zoja iu duk gjashtë herë Luçisë së Jezusit, Françeskut dhe Gjaçintës dhe u la një mesazh për mbarë njerëzimin. Ipeshkvi i Leirisë, në letrën baritore me rastin e mbylljes së pesëdhjetëvjetorit të dukjeve të Zojës, pohoi se mesazhi i Fatimës “përmbledh një përmbajtje doktrinore aq të gjerë, sa mund të pohohet me siguri se nuk i shpëton asnjë temë themelore e fesë sonë të krishterë…”.

Të shtunën më 14 maj kalendari kishtar përkujton Shën Matinë Apostull. Liturgjia e ditës kujton se për Matinë flitet në kapitullin e parë të Veprave të Apostujve, kur e thërrasin për të plotësuar numrin dymbëdhjetë, duke zëvendësuar, kështu, Judën Iskariot. E zgjedhin me short, ndër dy kandidatët që kishin qenë nxënës të Jezusit qysh nga pagëzimi në lumin Jordan. Tjetri ishte Jozefi, i quajtur Barsaba. Pas Rrëshajëve Matia fillon të predikojë, si të gjithë apostujt e tjerë. Nuk kemi lajme të sakta për mënyrën dhe vendin e vdekjes së tij. Tradita thotë se u martirizuan në Jeruzalem dhe se më vonë Shën Helena, nëna e perandorit Kostandin, e mbarti trupin e tij në Trier, ku nderohet edhe sot.

Të dielën e ardhshme më 15 maj Kisha katolike do të kremtojë solemnitetin e Rrëshajëve.  Kjo është festa e lindjes së Kishës sepse kremtimi i Rrëshajëve, festimi i Zbritjes së Shpirtit Shenjt Zot mbi Apostujt e mbledhur në Cenakull së bashku me Marinë, shënon pikërisht plotësimin e premtimeve të Jezu Krishtit: dërgimin e Shpirtit Shenjt për t’i ndihmuar dishepujt e vet në misionin, veprimtarinë, lodhjen e frikën e tyre. Ai u tha: “Do të ju dërgojë Shpirtin Shenjt. Ai do të ju japë forcë, guxim e entuziazëm”! Me ndihmën e Shpirtit Shenjt ecim plot shpresë në kërkim të së vërtetës së plotë, që gjendet në Jezusin e në Atin qiellor, lumturia e të cilit shkëlqen në mbarë universin.

Gjithnjë më 15 maj kalendari kishtar përkujton edhe Shën Izidorin, bujk. Izidori u lind në Madrid rreth vitit 1070 dhe u largua nga shtëpia shumë i ri, për të punuar si bujk. Falë punës së tij, fushat, që deri atëherë prodhonin pak, u bënë shumë pjellore. Merrte pjesë në meshë çdo ditë dhe i kushtonte aq shumë kohë lutjes, saqë disa nga bashkëpuntorët e paditën se i hiqte kohën punës. Kur Madridin e pushtuan Almoravidët, u zhvendos në Torrelaguna, ku u martua me një grua me emrin Mari. Familja e Izidorit dhe e Marisë ishte strehë e sigurt për të varfrit. Asnjë i varfër nuk u largua nga shtëpia e tij pa një lëmoshë. Vdiq më 15 maj 1130 dhe turpi i tij ruhet në kishën e Shën Andresë në Madrid. 








All the contents on this site are copyrighted ©.