2016-05-05 13:48:00

Papa përshëndeti juristët, të burgosurit dhe babain e Leopold Lopez


Pas audiencës së djeshme të përgjithshme, në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa Françesku përshëndeti një grup juristësh argjentinas, shtatë të burgosur nga Leçe, Leopold Lopez Gil, babain e disidentit venezuelan Leopold Lopez, në qeli që prej dy vjetësh, si edhe Vanesën, të bijën e ish-kryetarit të bashkisë së Karakas, Antonio Ledezma, edhe ai në burg. Lajmin e jep gazeta vatikanase “L’Osservatore Romano”, duke shtuar se presidenti i Gjykatës së Lartë argjentinase i dhuroi po dje Papës, një kryq të realizuar nga gratë e burgosura në Ezeiza, provincë e Buenos Ajresit.

Projekti për të burgosurit leçezë, nënvizon gazeta, iu paraqit Papës nga kryeipeshkvi, Domenico Umberto D’Ambrosio dhe nga drejtori i Karitasit, don Elvi de Magistris. Ka të bëjë me krijimin e vendeve të punës në bujqësi, me nisma vullnetariati për të varfërit dhe me takime për formimin shpirtëror.








All the contents on this site are copyrighted ©.