2016-05-05 19:09:00

Papa: lutja është ilaçi vërtetë për vuajtjen tonë


“Urata është ilaçi vërtetë për vuajtjen tonë. Edhe ne, në lutje, mund ta ndjejmë prezencën e Zotit pranë nesh. Përdëllimi dhe ëmbëlsia e vështrimit të tij na ngushëllon, forca e fjalës së tij na mbështet, duke na dhënë shpresë”. Kështu tha Papa Françesku gjatë mbrëmjes së lutjes në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, “për t’i fshirë lotët” e njerëzve që vuajnë  e janë në vështirësi të ndryshme në jetë. “Kemi nevojë për këtë bindje e siguri – vijoi Ati i Shenjtë Bergoglio -: Ati Qiellor na dëgjon e na vjen në ndihmë. Dashuria e Hyjit e derdhur në zemrat tona na lejon të themi se kur dashuron, asgjë e askush kurrë nuk mundet të na ndajë prej njerëzve që i kemi dashur”.

Për Papën Françesku, “forca e dashurisë e shndërron vuajtjen në shpresë se një ditë do të jemi së bashku e, do të kundrojmë përgjithmonë fytyrën e Shenjtueshmës Trini, burim i përjetshëm i jetës dhe i dashurisë”. E Papa Françesku u kujtoi të pranishmëve e atyre që ofruan dëshmitë për vuajtjet dhe dhimbjet që kanë pësuar e përjetuar për shkaqe e në situata të ndryshme të jetës, se “Zoti Jezus u ka premtuar dishepujve të vetë se nuk do t’i lë kurrë vetëm: në çdo situatë të jetës Ai do të jetë afër tyre duke u dërguar Shpirtin Ngushëllues (khr Gjn 14,26) për t’i ndihmuar, mbështetur e ngushëlluar”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.