2016-05-05 12:09:00

Mbrëmje e lutjes me Papën për “të fshirë lotët” e njerëzve që vuajnë


Mëshira bëhet e dukshme edhe në fshirjen e lotëve të atyre njerëzve që vuajnë apo janë në vështirësi të ndryshme: të atij që qan vdekjen e një biri apo të një personi të dashur, të atij që lufton kundër një sëmundjeje, të atij që është pa punë apo lufton çdo ditë për të mbijetuar nga vetmia, nga mënjanimi, nga sikletet e ndryshme. Të gjithë këtyre njerëzve u kushtohet mbrëmja e lutjes për “të fshirë lotët”, që Papa Françeskun kryeson sot, 5 maj, në solemnitetin e të Shëlbuemit, festës të të Ngjiturit të Jezu Krishtit në Qiell, në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan.

Është një nismë e paparë ndonjëherë që përbënë një moment të fortë të programit jubilar të Vitit të Mëshirës Hyjnore, sepse përqendrohen mbi njërën prej shtat veprave të mëshirshme shpirtërore: t’i ngushëllosh të brengosurit apo të pikëlluarit. Kjo mbrëmje urate synon t’i përfshirë të gjithë njerëzit, por në një mënyrë të veçantë, ata njerëz që ndjehen të lodhur, të ligështuar, të shtypur apo të shkurajuar e këndej kanë nevojë për një fjale mbështetjeje e ngushëllimi.

Me rastin e mbrëmjes së lutjes, që është pjesë e kremtimeve të muajin maj kushtuar Virgjërës Mari, në bazilikë të Vatikanit, ekspozohet, për t’u nderuar nga besimtarët, relikuari me lotët e Zojës së Bekuar të Sirakuzës. Relikuari përkujton ngjarjen e mrekullueshme që ndodhi ndërmjet 29 gushtit e 1 shtatorit të vitit 1953, kur fugurja prej allçie, që paraqet zemrën e papërlyer të Virgjërës Mari, derdhi lot njerëzish. Fugurja ishte vendosur në murin e një dhome gjumi, në shtëpinë e një çifti të rinjsh, Angelo Iannuso e Antonina Giusto.

Gjatë mbrëmjes së lutjes, në bazilikën e shën Pjetrit në Vatikan, janë në program edhe tri dëshmi e dhjetë lutjeje, secila për një kategori njerëzish që vuajnë e që janë në vështirësi. Janë edhe po kaq përfaqësues të botës së njerëzimit që vuan, të cilëve u dorëzohet një shtatore që përfaqëson simbolin e ngushëllimit e të shpresës e që është Agnus Dei – Qengji i Hyjit, do të thotë Jezu Krishti.








All the contents on this site are copyrighted ©.