2016-05-04 13:47:00

Papa për “Confcooperative”: inkurajoni dhe ndihmoni familjet


“Të krijojnë ndërmarrje, duke u nisur nga mundësitë… këtë dinë ta bëjnë shumë vetë. Të krijoni ndërmarrje, duke u nisur nga nevojat: ky është talenti juaj”. Kështu i thotë Papa në një videomesazh, Bashkimit italian të Kooperativave “Confcooperative”, me rastin e asamblesë vjetore. Ati i Shenjtë i këshillon kooperativistët ta ruajnë këtë trashëgimi, ndërsa bashkëpunojnë me shoqata të tjera për të nxjerrë në dritë vlerat e përbashkëta të të gjitha kooperativave. “Punoni për të mbështetur, inkurajuar e lehtësuar jetën e familjeve – thotë Papa, duke cituar Nxitjen apostolike ‘Amoris Laetitia’ e duke kërkuar një shtet të ri social – Njerëzit e familjet nuk duhen lëvë vetëm, duhet harmonizuar puna me familjen. …Luftoni kundër kooperativave të rreme, sepse kooperativat duhet të promovojnë ekonominë e ndershme. Merrni pjesë aktivisht në globalizim për të integruar në botë, zhvillimin, drejtësinë dhe paqen”.

         Papa fton të krijohet biznes, duke u zgjatur dorën njerëzve në vështirësi, sidomos emigrantëve dhe atyre, që kanë humbur punën nga kriza e përgjithshme. Duke pasur parasysh se kjo organizatë është mbledhur për të diskutuar mbi programet e reja e për të zgjedhur drejtuesit e rinj, Papa Françesku shton: “Në asamble ka ndjenja të ndryshme: aspirata, shqetësime, pasiguri për të ardhmen, vullnet për të dhënë një kontribut të dobishëm, dëshirë për t’u dëgjuar, ambicie…kjo është e natyrshme”, prandaj “udhëhiquni nga impenjimi për të mirën e përbashkët, për të mirën e kooperativistëve dhe për të mirën që kooperativat sjellin në vendin tuaj”.

Kooperativë nuk është ajo e komunizmit

Natyrisht, është e vështirë të kalojë koncepti i Papës për kooperativën në një dëgjues si ai shqiptar, që ka përjetuar kooperativën e komunizmit, mënyrë për të luftuar pronën private e për t’i lënë njerëzit në mëshirën e shtetit. Por, vetë Françesku na vjen në ndihmë për ta shpjeguar më mirë ç’do të thotë kooperativë për të. “Nëse kooperativa funksionon – vijon Ati i Shenjtë në videomesazh – e rrit solidaritetin ndërmjet ortakëve, forcon përgjegjësinë e përbashkët, aftësinë për ta pranuar me bujari atë që dinë të bëjnë të tjerët, por edhe për t’i njohur kufizimet vetjake. Me një fjalë, në kooperativë rritet vëllazërimi”.

Për Papën, vëllazërimi nuk është vetëm kapital besimi tek tjetri, por diçka më tepër: “është pasuria për të cilën ka nevojë bota. Ju – u thotë kooperativistëve – dëshmoni edhe se si i jep shpirt feja impenjimit konkret në historinë e njerëzimit dhe si i mbështet arsyet bujare, që mund t’i përmirësojnë gjërat. Këtë mision duhet ta jetoni e ta ndani me të tjerët”.

Kooperativat të prodhojnë vëllazërim

Papa Françesku bën më pas urimet për asamblenë, duke nënvizuar se “kooperativat, zakonisht, nuk përbëjnë shumicën e ekonomisë së një vendi, por nuk janë më pak të rëndësishme. Si ndërmarrjet e tjera shërbejnë për të prodhuar të ardhura, por e kanë edhe për detyrë ta bëjnë susidiaritetin të funksionojë, ta konkretizojnë solidaritetin, të çlirojnë dinjitetin dhe aftësitë e njerëzve dhe, e përsëris, të prodhojnë vëllazërim”.

Së fundi, duke kujtuar se jemi në Vitin Shenjt të Mëshirës, Papa Françesku thekson: “Mëshira është, para së gjithash, mëshirë e gjithpushtetshme e Zotit, por ajo shprehet edhe përmes burrave e grave. Uroj që impenjimi juaj në kooperativa të jetë i tillë, sa të bëhet edhe shprehje e mëshirës”.








All the contents on this site are copyrighted ©.