2016-05-04 12:01:00

Papa: nëse humbasim erën e deleve, na vjen era myk


“Hapini portat! Zoti ndodhet atje, ku dëshiron Ai vetë”! Në audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan,  Papa Françesku  u kujtoi të krishterëve se duhet të ruhen nga rreziku i mbylljes në një vathë, ku nuk bie e nuk dëgjohet fare erë deleje, por erë mjedisi të mbyllur. Erë e keqe myku. Ne, të krishterët - theksoi Papa gjatë takimit të tij të përjavshëm me besimtarë nga të katër anët e botës - nuk duhet të mbyllemi, nëse nuk duam, pastaj, të kemi duhmën e sendeve të mbyllura.

Duhet të dalim! Të dalim nga mbyllja në famullitë kishtare, në bashkësinë e vogël, ne, ndër thonjëza, të drejtët, në strategjitë tona. Bariu - shtoi Ati i Shenjtë Bergoglio  - do të ndodhet gjithnjë atje, ku mund ta gjejë delen e humbur. Prandaj Zoti duhet kërkuar ku dëshiron të gjindet Ai vetë, jo ku mendojmë ne se mund ta gjejmë. Ku është mëshira, atje është edhe Zoti. Madje Zoti i nxit delet të marrin pjesë në bashkimin e grigjës.

E atëhere jo vetëm delja e mbartur mbi shpatulla, por e tërë grigja e ndjek bariun në shtëpinë e tij, për të bërë festë me miq e dashamirë. Duhet të mendojmë shpesh për këtë shëmbëlltyrë - porositi Papa - sepse në bashkësinë e krishterë nuk mungon kurrë ndonjë i humbur, që e ka lënë bosh vendin e vet. Nganjëherë kjo është çkurajuese, na shtyn ta shikojmë këtë humbje si të pashmangëshme, si sëmundje të pa derman, e atëherë  rrezikohemi të mbyllemi brenda vathës. Kujdes! Zoti nuk gjindet ku duam ne! Gjindet atje, ku dëshiron Ai vetë!

 








All the contents on this site are copyrighted ©.