2016-05-04 12:38:00

Papa delegacionit jordanez: dialogu ndërton atje ku ka shkatërrim


“Ne jetojmë në një kohë, në të cilën jemi mësuar me luftërat, që shkatërrojnë. Ndërsa puna e dialogut, e afrimit, na ndihmon gjithnjë të ndërtojmë. Dialogu afron, ndihmon për të lidhur miqësi, për të ndërtuar”.

Është pohimi i Papës Françesku gjatë takimit, para audiencës së përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, me pjesëmarrësit në bisedën me “Institutin Mbretëror për Studime ndërfetare” të Ammanit, organizuar nga Këshilli Papnor për Dialogun Ndërfetar.

Unë mbeta shumë, shumë i kënaqur nga vizita në Jordani - tha Papa - e këtë e kujtoj gjithnjë. Është kujtim i bukur e nuk e harroj kurrë. Puna që bëni ju, është punë ndërtuese. Ne jetojmë në një kohë, në të cilën jemi mësuar me shkatërrimet që lënë pas luftërat. E puna e dialogut, e afrimit, na ndihmon gjithnjë të ndërtojmë. Në një takim të kësaj natyre, fjala më e rëndësishme është dialog. E dialog do të thotë të dalësh nga vetvetja, të thuash fjalën tënde e të dëgjosh fjalën e tjetrit. Dy fjalët takohen. Dy mendimet takohen. E kjo është etapa e parë e udhës.

Pas këtij takimi të fjalës, takohen edhe zemrat e nis dialogu miqësor, që përfundon me shtrëngimin e duarve. Fjala, zemra, duart! E thjeshtë. Këtë di ta bëjë edhe fëmija... Po ne, pse të mos e bëjmë? Është gjë e vogël, e vogël, e vogël, hapi i ndërtimit, i miqësisë, i shoqërimit. Të gjithë kemi një Atë të vetëm: jemi vëllezër. Të ecim në këtë rrugë, që është  e bukur! Kjo, nxitja e Papës, në përfundim të takimit.








All the contents on this site are copyrighted ©.