Papa Françesku do të marrë çmimin “Karli i Madh”, nesër më 6 maj, në orën 12.00. Për t’ia dorëzuar çmimin, në Romë do të vijnë tre presidentët e institucioneve evropiane, kreu i Parlamentit, Martin Schulz, kreu i Komisionit, Jean Claude Juncker dhe kreu i Këshillit Evropian, Donald Tusk e kancelarja gjermane Angela Merkel. Drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi, njoftoi se me këtë rast, Ati i Shenjtë Bergoglio do të mbajë një fjalim të rëndësishëm, ku do të shprehë idetë e tij për Evropën. Çmimi “Karli i Madh” i jepet çdo vit një personaliteti botëror, për impenjimin në favor të integrimit e të bashkimit në Evropë.
Çmimi e merr emrin nga mbreti i frankëve, Karli i Madh, që konsiderohej nga bashkëkohësit “ati i Evropës”. Në vitin 2015, ai iu dha presidentit të Parlamentit Evropian, Schulz. Ndërsa për këtë vit, siç u lajmërua që më 23 dhjetorin e kaluar në Achen të Gjermanisë, çmimi i jepet Papës Bergoglio. Duke cituar fjalimin e tij në Parlamentin Evropian, më 25 nëntor 2014, juria lavdëron mesazhin e “paqes e të mirëkuptimit”, që jep Papa, si edhe “dhembshurinë, tolerancën, solidaritetin e integritetin, që e karakterizojnë gjithë papninë”. “Në këto kohë, kur shumë qytetarë evropianë janë në kërkim të orientimit – pohon juria – Ati i Shenjtë jep një mesazh dashurie dhe inkurajimi”.
All the contents on this site are copyrighted ©. |