2016-05-02 14:49:00

Françesku - Mercedarëve: Shpirti Shenjt të shtyn t’i çlirosh të varfërit e të shtypurit


Misionari t’u afrohet periferive të varfërisë “i lirë nga bagazhet”, sepse Shpirti Shenjt është fllad i lehtë, e është Ai, që jep forcë për mision. Ky, një nga mendimet e Papës, gjatë takimit me delegacionin e Etërve Mercedarë, të cilin e priti sot në Vatikan me rastin e Kapitullit të  përgjithshëm të Urdhërit, themeluar 800 vjet më parë

.

“Një Urdhër 800-vjeçar natyrisht ka ç’të kujtojë, e bën mirë të kujtojë”. Veç jo për t’i nxjerrë në paradë lavditë e kaluara, por për të kuptuar në ç’ rrugë eci karizma në këtë hark kohe - të drejta, të gabuara - e për të marrë guxim e frymëzim, që të bëjë edhe në periferitë e së sotmes, atë, që  bëri në të së djeshmes.

Tetëqind vjeçare, mosha e Urdhërit të Mercedarëve. Janë shumë! Papa Françesku i kremtoi me gëzim të madh, ndërmjet 50 rregulltarëve të Institutit, që marrin pjesë në Kapitullin e përgjithshëm, duke i pritur në Sallën e  Koncistorit të Pallatit Apostolik. Tema kryesore e takimit të madh të Urdhërit: “Mercede: kujtim e profeci në periferitë e lirisë” – e nxiti Françeskun për një sqarim. Mirë, vërejti, kujtim që të sjell në mendje punë të mëdha, të kryera gjatë këtyre 8 shekujve. E këndshme, kujtesa - tha Papa - e shtoi:

“Kjo kujtesë nuk duhet të kufizohet në një ekspozim të së kaluarës, por duhet të jetë akt i qetë e i vetëdijshëm, që na lejon të vlerësojmë sukseset tona, pa harruar edhe kufizimet e, posaçërisht, përballimin e sfidave të njerëzimit të sotëm. Jeta e vërtetë e Urdhërit duhet kërkuar në përpjekjen e vazhdueshme për t’u përshtatur e për t’u përtërirë, me qëllim që t’i jepet një përgjigje bujare kërkesave reale të botës e të Kishës, duke i qëndruar besnikë trashëgimisë së përhershme, që e morët nga të parët”.

Profeti, kujtoi Papa është i dërguar, që mori një dhuratë nga Shpirti Shenjt për t’i shërbyer popullit të Zotit:   

“Profeti di të shkojë në periferitë, të cilave u afrohet i lirë nga bagazhet. Shpirti Shenjt është erë e lehtë, që të shtyn përpara. Të kujtosh çka i shtyu Etërit tuaj e ku i drejtoi, na angazhon të ndjekim hapat e tyre. Ata qenë të aftë të rrinin peng pranë të varfërve, të shtypurve, të përjashtuarve nga shoqëria, për t’i ngushëlluar, duke vuajtur me ta. E bënë këtë ditë për ditë, me këmbëngulje, në heshtje të plotë, duke jetuar një jetë të lirë e të dhuruar bujarisht”.

T’i ndjekësh këta paraardhës, ishte porosia e Papës, do të thotë të kuptosh se për t’i çliruar të varfërit nga mjerimi, duhet të bëhemi të vegjël, të gatshëm për t’ua shpallur Vitin e hirit të Hyjit të gjithë atyre, tek të cilët jemi dërguar:

“Të persekutuarve për shkak të fesë, të burgosurve, viktimave të trafikut, të rinjve të shkollave, të gjithë atyre, që presin vepra mëshire, besimtarëve të famullive e misioneve, besuar atyre nga Kisha”.








All the contents on this site are copyrighted ©.