Të forcohet dialogu për paqen, përballë situatës së dëshpëruar humanitare në Siri, të mbrohen të miturit, pa toleruar asnjë shpërdorim, të promovohet dinjiteti njerëzor, duke respektuar plotësisht ligjet mbi punën e ambientin. Këto, reflektimet e Papës gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, kushtuar kryesisht domethënies të dhuratës së Shpirtit Shenjt në jetën tonë.
Papa shprehu dhimbjen e tij të thellë për lajmet, që merr nga Siria e, menjëherë pas lutjes së Mbretëreshës Qiellore, u lut të marrë fund sa më shpejt spiralja e dhunës që - vërejti - vijon ta rëndojë më tej situatën humanitare në vend. Mendimi i Atit të Shenjtë shkoi posaçërisht tek qyteti i Halebit dhe tek viktimat e pafajshme të këtij konflikti, ndërmjet të cilave - kujtoi - fëmijët e sëmurë dhe të gjithë ata që, me flijime të mëdha, e vunë vetveten në shërbim të të afërmit:
“I nxis të gjitha palët në konflikt ta respektojnë ndalimin e zjarrit e ta thellojnë dialogun në vijim, e vetmja rrugë që çon drejt paqes”.
Duke përshëndetur anëtarët e shoqatës “Meter” të don Fortunato Di Noto-s, mendimi i Françeskut shkoi edhe tek ata, që luftojnë kundër çdo forme të shpërdorimit të të miturve, të cilët i nxiti ta vijojnë me guxim angazhimin e tyre në këtë drejtim:
“Kjo është tragjedi! Nuk duhet të tolerojmë asnjë shpërdorim mbi të miturit! Duhet t’i mbrojmë të shpërdoruarit e t’i dënojmë rreptësisht shpërdoruesit”.
Sot, kur Kisha kremton Shën Jozefin Punëtor e duke kujtuar se së shpejti në Romë do të mbahet konferenca ndërkombëtare me temë “Zhvillimi i qëndrueshëm dhe format më të rrezikshme të punës”, Papa uroi të sensibilizohen në këtë drejtim autoritetet, institucionet politike dhe ekonomike si dhe shoqëria civile:
“Të nxitet modeli i zhvillimit, që e llogarit mirë dinjitetin njerëzor dhe respekton plotësisht ligjet mbi punën e mbi ambientin”.
Gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore, duke shtjelluar Ungjillin e Shën Gjonit kushtuar Darkës së Mbrame, Papa kujtoi se nuk jemi kurrë vetëm, sepse Jezusi është pranë nesh, mes nesh, brenda nesh, përmes dhuratës së Shpirtit Shenjt, e cila na ndihmon të krijojmë një lidhje të fuqishme me të Kryqëzuarin e Ngjallur. E shenja e qartë e pranisë së Shpirtit Shenjt - shtoi Françesku - është paqja, që u jep Jezusi dishepujve të vet:
“Ajo ndryshon nga paqja, që e dëshirojnë e mundohen ta realizojnë njerëzit. Paqja e Krishtit gurron nga fitorja mbi mëkatin, mbi egoizmin, që na pengon ta duam njëri-tjerin si vëllezër. Është dhuratë e Zotit e shenjë e pranisë së Tij”.
Të gjithë dishepujt janë të thirrur sot ta ndjekin Jezusin, duke mbartur kryqin e duke marrë dhuratën e paqes së Tij:
“Shpirti Shenjt, i dikuar në ne me sakramentin e Pagëzimit e të Krezmimit, vepron fuqimisht në jetën tonë. Ai na prin në mënyrën e mendimit, të veprimit, të dallimit të së mirës nga e keqja: na ndihmon ta praktikojmë dashurinë e Jezusit, dhurimin e Tij për të tjerët, posaçërisht për më nevojtarët”.
Nga ana tjetër, ashtu si u ndodhi apostujve, edhe sot - vijoi Papa - Shpirti Shenjt na mëson e na kujton, në zemrat tona, fjalët e Krishtit. Dishepujt i ndihmoi ta kuptonin gjithnjë më mirë e më thellë Ungjillin, si të dërguar, që ishin, për ta çuar kumtin e madh në mbarë botën e për ta rizgjuar kujtesën mbi mësimet e Jezusit. E kjo ndodh edhe sot e kësaj dite në Kishë, që udhëhiqet nga drita e nga forca e Shpirtit Shenjt, për t’ua çuar të gjithëve dhuratën e shëlbimit, domethënë, dashurinë dhe mëshirën e Zotit:
“Kur ju të lexoni, për gjithë ditë - siç ju kam porositur - një fragment të Ungjillit, lutjuni Shpirtit Shenjt: ‘Ndihmomë t’i kuptoj e t’i kujtoj këto fjalë të Jezusit!’. E pastaj ta lexoni copëzën, ditë për ditë. Por para se të nisni leximin, përsëriteni këtë lutje drejtuar Shpirtit Shenjt, që e kemi në zemër: ‘Më ndihmo, të lutem, të kujtoj e të kuptoj”.
All the contents on this site are copyrighted ©. |