2016-04-29 18:54:00

Jubileu i ushtarakëve. Fisichella: ushtritë i shërbejnë paqes


"Porta e tij është gjithnjë e hapur”: ky, filli  i artë i Jubileut të familjes ushtarake dhe të policisë, në program, në Romë, që sot, deri më 1 maj, në kuadrin e ngjarjeve për Vitin e Mëshirës. Sot, takimi në Augustinianum; nesër, pjesëmarrja në audiencën jubilare me Papën, të dielën paradite, në orën 10.00, Mesha në Shën Pjetër, kryesuar nga sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin. Në përfundim të Jubileut, në orën 12.00, shtegtarët do të marrin pjesë në lutjen e Mbretëreshës Qiellore, kremtuar nga Papa Françesku. Për këtë Jubile, na flet kryetari i Këshillit Papnor për Ungjillëzimin e  Ri, imzot Rino Fisichella:

Përgjigje: - Në Misericordiae Vultus Papa përdor një shprehje që, sipas mendimit tim, i përshtatet mrekullisht mirë këtij Jubileu, që nisi sot. Thotë se duhet të jemi të aftë për të arritur periferitë e kësaj bote e ne e shikojmë se shumica e aksioneve të ushtrive, para se të jenë mjete lufte e mbrojtjeje, janë mjete paqeje. Mbledhin forca, për të qenë të pranishme në ndërtimin e saj, çojnë ushqim atje, ku mungon, i rikthejnë qetësinë e sigurinë popullsive, që vuajnë nga lufta e nga dhuna. Prej këndej, më duket se të kremtosh për ta një Jubile të Mëshirës, do të thotë të jesh i aftë ta pranosh edhe angazhimin e tyre të madh për paqen.

Pyetje: - Detyrë e rëndësishme kjo, sidomos tani, që në Lindjen e Mesme e në Veriun e Afrikës ka mungesë të plotë stabiliteti e ndeshjet e armatosura janë të vazhdueshme….

Përgjigje: - Ne po jetojmë një luftë të re botërore, edhe pse fragmentare, e përballë kësaj përvoje, kujtimi i mëshirës bëhet edhe më i fortë. Por kujtimi i mëshirës - siç e shikojmë ditë për ditë - është edhe thirrje, që u drejtohet gjithë njerëzve vullnetmirë. Shprehet me afërsi, me pjesëmarrje, bëhet ngushëllim e mjet paqeje; të nxit t’i shikosh me sy plot mëshirë edhe të gjitha ato situata, që kërkojnë dashuri të vërtetë për njeriun.    








All the contents on this site are copyrighted ©.