2016-04-29 13:10:00

Françesku: të krishterët janë njerëz të dritës. Jo, “jetës së dyfishtë”


“I krishteri nuk ecën udhëve të errta, sepse në to nuk është e vërteta e Zotit. Por edhe nëse do t’i ndodhte, mund të shpresojë gjithnjë në faljen e në ëmbëlsinë e Atit”. Është pohimi kryesor i Papës Françesku, gjatë komentit të Leximeve të ditës, në homelinë e Meshës, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës.

Të kulluar, si Zoti! E pa mëkat, sepse s’ka mëkat të pasuar nga pendesa, që nuk ta fal Ati. Kjo është jeta e krishterë, sintetizoi Papa Françesku, duke komentuar fragmentin e Letrës së Shën Gjonit, atë, në të cilën Apostulli  i vë besimtarët përballë një sërë përgjegjësish, duke u kujtuar se i krishteri nuk mund të jetojë një jetë të dyfishtë. Nuk mund të jetë me fytyrë  të ndriçuar nga drita e me zemër të pushtuar nga errësira, sepse Zoti  është gjithnjë e vetëm dritë.

Ec në dritë

Nëse themi se nuk kemi mëkat, e bëjmë gënjeshtar vetë Zotin, citoi Françesku, duke nxjerrë në pah luftën e amshuar të njeriut me mëkatin, për të fituar hirin hyjnor:

“Nëse ti thua se je në bashkim me Zotin, ecën në dritë! Nuk ke jetë të dyfishtë! Këtë jo! Nuk bie në këtë mashtrim, që ne e shikojmë aq shpesh, e madje biem edhe vetë në të. Të thuash një gjë, e të bësh një tjetër, apo jo?’ Tundimi mbetet gjithnjë… Nuk e dimë nga vjen kjo gënjeshtër, ky mashtrim: në Bibël, Jezusi e quan djallin ‘ati i mashtrimit’, gënjeshtar.  E prandaj, me shumë ëmbëlsi, me shumë butësi, ky gjysh e porosit Kishën në fasha, Kishën vashë, të mos jetë kurrë gënjeshtare. Ti je në bashkim me Zotin, ec në dritë! Bëj vepra drite, mos thuaj një gjë, për të bërë një tjetër, mos bjer kurrë në kënetën e jetës së dyfishtë”.

Më i madh se mëkatet tona

“Bijtë e mi”, kështu nis letra e Shën Gjonit, e në këtë hyrje plot dhembshuri, pikërisht me tonin e gjyshit, që u flet nipërve në lule të moshës jehon - kujtoi Papa - ëmbëlsia e fjalëve të Ungjillit të sotëm, ku Jezusi  e quan të lehtë barrën e Tij  dhe u premton prehje të këputurve nga mundimi i jetës e të nëpërkëmburve nga padrejtësitë. E kështu tingëllon dhe thirrja e Gjonit për të mos mëkatuar, por edhe nëse ndokush e ka bërë këtë, pason menjëherë thirrja të mos e humbasë guximin:

“Kemi një Paraklit, një fjalë, një avokat, një mbrojtës pranë Atit: është Jezu Krishti, i drejti. Ai na shfajson, Ai na jep hirin. Njeriu e ndjen dëshirën t’i thotë këtij gjyshi, që na këshillon kështu: ‘Por, a nuk ju duket punë shumë e keqe të mëkatosh?’. ‘Sigurisht, mëkati është i shëmtuar! Por, po mëkatove, mos harro se të presin për të të falur. Gjithnjë. Sepse Ai, Zoti, është shumë më i madh sesa mëkatet tona”.

Transparentë e në të vërtetën

Kjo, përfundoi Papa, është mëshira e Zotit, madhështia e Zotit. Ai e di se jemi asgjë, se vetëm e vetëm prej Tij marrim frymë e forcë e jetë, prej këndej, na pret, gjithnjë:

“Mos ec me një këmbë në dritë e një në errësirë. Mos mashtro. Të gjithë mëkatojmë. Askush nuk mund të thotë: ‘Ky është mëkatar, kjo, mëkatare. Unë, faleminderës Zotit, jam njeri i drejtë’. Jo, vetëm një është i Drejtë, Ai, që pagoi për ne. E nëse ndokush mëkaton, Ai na pret, na fal, sepse është i mëshirshëm dhe e di mirë me se jemi mbruajtur, e kujton gjithnjë se s’jemi tjetër, veçse pluhur. Ç’gëzim na jep ky lexim, i cili na çon përpara në thjeshtësinë e transperencën e jetës së krishterë, posaçërisht kur i drejtohemi Zotit. Me vërtetësi”.








All the contents on this site are copyrighted ©.