2016-04-29 17:23:00

Filloi maji, Muaji i Zojës


Sipas traditës, më 1 maj, në mbarë botën e krishterë kremtohet edhe fillimi i muajit kushtuar Zojës së Bekuar. Kjo traditë,  kushtuar Gruas së veshur me diell, nisi me një zakon të periudhës së rilindjes, sipas të cilit të dashuruarit shkëmbenin dhurata pikërisht në ditën e parë të majit. Kur natyra është në lulëzim, të duket e natyrshme ta kremtosh dashurinë.

Në përpjekjen për ta kristianizuar këtë zakon, fillimisht besimtarët nisën t’i dhuronin Marisë tufa me lule, si shenjë nderimi që ia bënte vetë natyra Nënës së Zotit, krijesës më të bukur mbi gjithë gratë, Vashës veshur me diell. Me sa duket, i pari që  nisi ta lidhë figurën e Marisë me muajin marian, aty nga shekulli XIII, ishte mbreti i Kastiljes, Alfonsi X i Urti i cili, në një këngë krijuar prej tij për festat stinore, e shikon majin si muajin më të përshtatshëm për t’ia kushtuar devocionit ndaj Marisë, për ta kurorëzuar, kështu, denjësisht.

Dimë, pastaj, se në Francë, që në shekullin XIV, Sivëllazëria e Argjendarëve e kishte zakon t’i dhuronte Virgjërës Nënë, më 1 maj, në Kishën e Shën Marisë së Parisit, një bimë të stolisur me gurë të çmuar, emblema e kordele mëndafshi. Ndërsa në Romë, në shekullin XVI, Shën Filip Neri gjatë majit i ftonte vazhdimisht të rinjtë e tij ta nderonin në mënyrë të veçantë Marinë. Kremtimi i mirëfilltë u themelua në shekullin XVIII nga tre jezuitë: Atë Annibale Dionisi botoi, në vitin 1725, veprën “Muaji i Marisë”, duke i këshilluar besimtarët për meditim të përditshëm, uratë zhgjetore e lutje të tjera të shkurtëra, për kujtim të Zojës së Bekuar.

Më pas, e pikërisht në vitin 1758, atë Lalomia botoi, në Palermo, “Muajin e majit”, me një sërë meditimesh ditore. E së fundi, më 1785, atë Alfonso Muzzarelli, edhe ai jezuit, botoi në Romë veprën “Muaji maj”, me meditime për të vërtetat e amshuara, duke përfunduar me  kushtimin Marisë. Nga gjysma e parë e shekullit XIX, maji i Marisë kremtohej në mbarë Evropën, në Amerikë e në vendet e misionit. E natyrisht, edhe ndër shqiptarë.Në të gjitha kishat u kremtua kjo ditë, që i prin majit të Zojës!








All the contents on this site are copyrighted ©.