2016-04-27 15:51:00

Papa: zemra e fesë është dhembshuria për njeriun që vuan


“Nuk është e thënë që kush e ndjek shtëpinë e Zotit, di edhe të dojë të afërmin”. Mëshira, ajo që vjen nga Zoti, është aftësi për ta ndihmuar me dhembshuri njeriun që vuan, jo ndjenjë e vakët. Ky, mësimi që i propozoi sot Françesku turmës, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit për audiencën e përgjithshme, kushtuar shëmbëlltyrës së Samaritanit të Mirë. I afërmi i vërtetë - tha Papa - është ai, që di t’i afrohet të vuajturit, për t’ia lehtësuar dhembjen.

Një njeri gjysëm i vdekur buzë rruge, viktimë e dhunës, i parë e i papërfillur nga njerëz, që mund ta ndihmonin, e shemb fasadën e ndërtuar nga shtiracakët  - pohoi Papa – ia çjerr maskën e hipokrizisë atyre, që thonë se përvëlohen për Zotin, por që, në të vërtetë, tregojnë se kanë një copë akulli në vend të zemrës, kur duhet t’i japin ndihmë njeriut në  nevojë.

Nuk është e thënë

Ndoshta asnjë shëmbëlltyrë, si kjo e Samaritanit të Mirë, nuk i jep një formë  kaq tripërmasshe fjalës “dhembshuri”. Prifti e leviti, të cilëve ligji ua impononte të ndaleshin e t’ia zgjasnin dorën njeriut të sulmuar nga banditët, tërhiqen - secili - kujton Françesku - duke e justifikuar në mënyrën e vet këtë qëndrim, që vë në diskutim shumë ndërgjegje të krishtera:
“S’është e thënë se kush e ndjek shtëpinë e Zotit, di edhe ta dojë të afërmin. Nuk është gjë, që bëhet automatikisht! Ti mund ta njohësh gjithë Biblën, mund t’i njohësh të gjitha rubrikat liturgjike, ti mund ta njohësh tërë teologjinë, por nuk është e thënë që edhe të duash, automatikisht:  për të dashur, duhet ndjekur një rrugë tjetër, duhet inteligjencë, por edhe diçka më shumë…”.

Të mos rrimë duarkryq, duke bërë sehir

“Prifti e leviti shikojnë, por sjellin kokën mënjanë, si të mos kishin parë” - nënvizoi Papa. - Shohin, por nuk marrin asnjë masë. E pra – vijoi të ngulmojë Françesku – asnjë kult nuk mund të jetë i vërtetë, nëse nuk i shërben të afërmit:

“Të mos harrojmë kurrë: përballë vuajtjes së një mori njerëzish gjysëm të vdekur nga uria, nga dhuna e nga padrejtësitë, nuk mund të rrijmë e të bëjmë sehir duarkryq. Kjo do të thotë t’i mbyllësh sytë para vuajtjes së njeriut. Do të thotë t’i mbyllësh sytë para vetë Zotit, ta injorosh”.

 Nëse unë nuk i afrohem atij burri, asaj gruaje, atij fëmije, atij plaku, asaj plake, që vuan, nuk i afrohem vetë Zotit.

Mëshirë është të kesh dhembshuri

Ndërsa samaritani është njeri i afërsisë, njeri, që preket thellë në shpirt, kur e shikon tjetrin të katandisur në atë gjendje të mjerueshme, njeri, që e ndërpret shtegtimin, sepse di të vuajë për e me tjetrin. Samaritani është njeri, zemra e të cilit rreh me ritmin e zemrës së vetë Zotit:

“Dhembshuria është karakteristikë themelore e zemrës së Zotit. Zoti ka mëshirë për ne. Ç’do të thotë kjo? Vuan me ne, i ndjen vuajtjet tona. E në gjestet dhe veprimet e samaritanit të mirë, shikojmë pikërisht veprimin mëshirëplotë të vetë Zotit në gjithë historinë e shëlbimit. Është e njëjta dhembshuri, me të cilën e ndjek Zoti secilin nga ne: Ai nuk shtiret sikur s’ na shikon, na i njeh të gjitha dhembjet, e di sa kemi nevojë për ndihmë e ngushëllim. Na vjen pranë e nuk na braktis kurrë”.

Jo ndjenja të vakta

Pra, rikujtoi  Papa,  është samaritani - për të cilin  askush nuk do të  pandehte se mund të sillej në atë mënyrë - ai që ka mëshirë e dhembshuri për të plagosurin, që e ndihmon e që  i siguron, nga xhepi i vet, gjithçka ka nevojë për ta rimarrë veten:

“E gjithë kjo na mëson se dhembshuria, dashuria, nuk është ndenjë e vakët. Dhembshuri do të thotë të kesh kujdes për tjetrin, si për vetveten. Do të thotë t’i bësh të gjitha hapat e nevojshme për t’iu afruar tjetrit aq, sa  të njëjtësohesh me të”

I afërmi i vërtetë

Në Ungjill, shëmbëlltyra i drejtohet doktorit të Ligjit, që kërkon nga Jezusi një lloj “rregulli” për të vendosur, pastaj, kush mund të quhet “i afërm”, domethënë për ta dalluar të drejtin nga i padrejti. Në përfundim të historisë, pyetja përmbyset: “Kush ishte - pyet Krishti - i afërmi i njeriut të sulmuar nga hajdutët?”:

“Jezusi e kthen përmbys perspektivën: mos rrini duke klasifikuar të tjerët, për të parë kush është i afërt e kush jo! Ti mund të bëhesh i afërmi i çdo nevojtari që takon, e do të jesh i afërm, në se zemra jote është plot me dhembshuri, domethënë, ka aftësi të vuaj bashkë me tjetrin”.








All the contents on this site are copyrighted ©.