2016-04-26 14:25:00

Papa: “ora e laikëve” frazë e famshme, por sahati është ndalur


“‘Është ora e laikëve’: frazë e famshme, por më duket se sahati është ndalur aty”. Papa Françesku i shkruan kështu kryetarit të Komisionit Papnor për Amerikën Latine, kardinalit Marc Ouellet, të cilit i kërkon t’i kushtojë vëmendje të veçantë klerikalizmit, një nga të këqiat më të mëdha, që duhet të përballojë Amerika Latine. Letra mban datën e 19 marsit, por u bë e njohur sot nga Vatikani. Ati i Shenjtë u ul ta shkruajë pasi Komisioni për Amerikën Latine dhe Karaibet ia kushtoi asamblenë e përgjithshme “impenjimit të domosdoshëm të besimtarëve laikë në jetën publike të vendeve amerikanolatine”.

Papa Françesku shtjellon idenë e “Popullit besnik të Zotit” për të përvijuar rolin e meshtarëve në të. Kritikon ashpër klerikalizmin, duke nënvizuar se çdo katolik është lindur si laik e jo si meshtar apo ipeshkëv. Pastaj shqyrton nga afër rolin e laikëve dhe të meshtarëve në jetën publike të një vendi. “Nuk është meshtari, bariu i Kishës, ai që duhet t’i thotë laikut çfarë të bëjë e çfarë të thotë, se e di po aq e më mirë se ne. …Shpesh kemi rënë në tundim e kemi menduar se laik i impenjuar është ai, që punon në veprat e Kishës apo në gjërat e famullisë e të dioqezës dhe kemi reflektuar pak si ta shoqërojmë një të pagëzuar në jetën publike e të përditshme… Pa e kuptuar, kemi bërë të lindë një elitë laikale, duke besuar se janë laikë të impenjuar vetëm ata, që punojnë në gjëra ‘priftërinjsh’ dhe, e kemi harruar, duke e lënë mënjanë, besimtarin që, shpesh, digjet me shpresë në luftën e përditshme për ta mbajtur gjallë fenë. Janë këto situatat, që klerikalizmi nuk mund të shohë, sepse shqetësohet më shumë për të dominuar hapësira se sa për të gjeneruar procese”.

Megjithëse e përqendruar mbi Amerikën Latine, letra jep një panoramikë më të përgjithshme të mendimit të Atit të Shenjtë rreth ipeshkvijve, popullit e Popullit të Zotit, pra, jep idenë e Kishës, që ka ndërmend Papa e që përpiqet ta realizojë si përmes baritorisë, ashtu edhe përmes reformave në vijim. Në argumentimet e tij, Ati i Shenjtë tërheq vëmendjen ndaj “një elementi – shkruan – që e konsideroj fryt të mënyrës së gabuar për ta jetuar ekleziologjinë e propozuar nga Koncili II i Vatikanit. Nuk mund të reflektojmë mbi temën e laikatit, duke injoruar një nga deformimet më të mëdha, që duhet të përballojë Amerika Latine… klerikalizmi. Ky qëndrim – thekson Françesku, duke kërkuar vëmendje të veçantë për këtë temë – jo vetëm e anulon personalitetin e të krishterëve, por ka edhe prirjen për ta nënvleftësuar dhe për ta zhvlerësuar hirin e Pagëzimit, që Shpirti Shenjt ka dikuar në zemrat e njerëzve tanë. Klerikalizmi sjell homologimin e laikatit; duke e trajtuar si ‘të ngarkuar me punë’ nga dikush tjetër, ia kufizon nismat e përpjekjet e, do të guxoja të thosha, edhe guximin e nevojshëm për të çuar Lajmin e Mirë të Ungjillit në të gjitha fushat e veprimtarisë shoqërore e sidomos, politike. Klerikalizmi, larg së dhëni ndonjë impuls për kontribute e propozime – pohon më tej Papa – e shuan pak nga pak flakën profetike, të cilën e gjithë Kisha është e thirrur ta dëshmojë në thellësitë e zemrës së popujve të vet. Klerikalizmi harron se dukja dhe sakramentaliteti i Kishës i përkasin gjithë Popullit të Zotit (shih Lumen Gentium, 9-14) e jo vetëm pak të zgjedhurve e të shndriturve”.

Pas ftesës për ta vlerësuar “fenë e popullit”, siç mëson Papa Pali VI, Ati i Shenjtë u kërkon ipeshkvijve t’u qëndrojnë pranë laikëve të impenjuar në jetën publike, sidomos në qytetet, që janë kthyer në vende mënjanimi: “Ç’do të thotë për ne barinjtë – pyet Papa Françesku – fakti që laikët po punojnë në jetën publike? Do të thotë të gjejmë mënyrën për të inkurajuar, për të shoqëruar e për të nxitur të gjitha përpjekjet ekzistuese për ta mbajtur gjallë shpresën dhe fenë, në një botë plot me kontradikta, sidomos për më të varfërit, sidomos me të varfërit. Do të thotë që, si barinj, të impenjohemi në mesin e popullit tonë e, së bashku me të, të mbështesin fenë dhe shpresën e tij. Duke hapur dyer, duke punuar me të, duke ëndërruar me të, duke reflektuar e sidomos, duke u lutur me të”.

“Laikët – kujton Papa, duke i ftuar ipeshkvijtë të mos japin direktiva të përgjithshme, por të ecin me ta në jetën e përditshme – janë pjesë e Popullit Shenjt besnik të Zotit, prandaj janë protagonistët e Kishës dhe të botës; ne jemi të thirrur t’u shërbejmë, jo të shërbehemi prej tyre”.








All the contents on this site are copyrighted ©.