2016-04-25 16:35:00

Siria: qytete me shumicë të krishterë bombardohen nga xhihadistët


Milicët islamistë të lidhur me grupin xhihadist Jabhat al Nusra nisën dje një sulm me goditje mortaje mbi qytetin sirian me shumicë të krishterë  Sqelbiya, në provincën qendrore të Hama-s, duke shkaktuar vdekjen e tre civilëve. Njoftimin e japin burimet kurde, rimarrë nga agjencia Fides. Viktimave u duhen shtuar edhe pesëmbëdhjetë të plagosur, disa prej të cilëve, në gjendje të rëndë. Sulmi, me breshëri të dendura mortaje, i dëmtoi rëndë lagjet qendrore. Qyteti, nën kontrollin e ushtrisë qeveritare, është sulmuar edhe në të kaluarën nga milicitë xhihadiste, që kanë provuar disa herë ta pushtojnë, por pa e arritur asnjë herë qëllimin.

Në Hassakè vijon armëpushimi ndërmjet ushtrisë qeveritare e milicëve

Ndërkaq në provincën siriane veri-lindore të Hassaké vijon armëpushimi ndërmjet ushtrisë qeveritare dhe milicëve kurdë të Bashkimit të mbrojtjes popullore (Ypg) vendosur të shtunën e kaluar, pas ndeshjes së përgjakshme të së mërkurës, 20 prill, posaçërisht në qytetin Qamishli. Përfaqësuesit e milicive kurde, të pyetur nga agjencia Ara News, ripohuan se duan t’i mbajnë nën kontroll zonat e pushtuara gjatë ndeshjes e se nuk e kanë në mendje t’i bëjnë asnjë lëshim Assad-it. Sipas krerëve kurdë,  regjimi i Assad-it i ka detyruar popullsitë civile vendase të krijojnë grupet paraushtarake “të vetëmbrojtjes”, që i nënshtrohen ushtrisë qeveritare, duke përdorur, posaçërisht mbi punojnjësit publikë, forma kërcënimi, si prerja e rrogës, ose pushimi nga puna.

Pas tragjedisë siriane, fshihen strategji dhe interesa të ndërlikuara

Hapja e një fronti të ri konflikti ndërmjet milicive kurde dhe ushtrisë së Assadit në Sirinë veri-lindore, tregon se pas tragjedisë siriane fshihen strategji e interesa të ndërlikuara, që nuk mund të shikohen thjesht si ndeshje me xhihadistët e Shtetit të vetëshpallur Islamik (Daesh). Sipas burimeve vendase, gjatë ndeshjeve triditore ndërmjet milicëve kurdë dhe ushtrisë qeveritare, vdiqën 17 civilë, 10 milicë kurdë si dhe 31 ushtarë qeveritarë e paraushtarakë, të lidhur me regjimin.








All the contents on this site are copyrighted ©.