Kisha kremton sot Shën Markun, autor i Ungjillit më të lashtë. Ky Ungjill është “udhë katekumenale” që çon në thelbin e mesazhit të Jezusit.
Për Kishën katolike 25 prilli është dita e festës kushtuar Shën Markut Ungjilltar.
Shën Marku është njeriu që shkroi katekizmin e shën Pjetrit Apostull për bashkësitë
e para të krishtera, duke hartuar kështu Ungjillin më të vjetër kanonik.
Në të gjitha epokat e njerëzimit janë të paktë shkrimtarët që hartuan vepra, të cilat
përshkuan shekuj e hapësira, duke u ribotuar, duke u përkthyer e duke u studiuar në
të katër anët e tokës. Këtë fat pati Ungjilli i Markut, që u shkrua rreth vitit 70
pas vdekjes së Krishtit. Titullohej: “To Euaggelion” – “Lajmi i Mirë”.
Për bashkësitë e para të krishtera, Marku ishte ‘hija’, që ndiqte hap pas hapi shtegtimet
e dy apostujve të mëdhenj: Palit të Tarsit e, më pas, Simon Pjetrit. Duket se kishte
detyrën e sekretarit, kopistit e përkthyesit, që dinte mirë greqishten e që iu kushtua
punës për t’i bërë fjalë të shkruara, mësimet gojore të prijësit të parë të Kishës
së Krishtit, Pjetrit Apostull. Kur Pjetri vdiq, në vitin 64, Marku kuptoi sa vlerë
kishte materiali i mbledhur për vite me radhë, pa asnjë kriter. Iu vu, atëherë, punës
dhe, pas gjashtë vjetësh, realizoi atë, që do të ishte Ungjilli më i lashtë. Ungjilli
sipas Markut përshkruan skenën, në të cilën fiton pjekurinë thirrja e të Dymbëdhjetë
Apostujve - Galileja, tokë e njerëzve të varfër, që nuk vlerësohej nga judenjtë, por
që Jezusi e zgjedh si teatër të misionit të tij. Përvujtëria, në kontrast me mburrjen
e njerëzve, është tipar i përhershëm i jetës së Krishtit. Njerëzit që zgjedh janë
peshkatarë, jeta e të cilëve tronditet nga tri fjalë: “Pendohuni, besoni dhe lajmi
i mirë” – që lidhen ngushtë ndërmjet tyre. Kuptimi më rrënjësor i pendesës është ndjekja
e Krishtit. Të pendohesh nuk do të thotë thjeshtë të bësh kthesë morale në jetë. Pendesa
është më tepër një orientim i ri i jetës drejt personit të adhuruar të Jezusit Zot,
është hapje e plotë e shtigjeve të jetës për Jezusin, është dhurim i jetës për Krishtin.
Sepse sundimi i Jezusit mbi nxënësit e vet është një akt dashurie që nuk shtyp, por
çliron, që kërkon përgjigje të menjëhershme e të plotë, që të fton ta ndjekësh.
Kështu shkruhet në Ungjillin e Markut, i cili ka për qëllim t’ua paraqesë besimtarëve
të rinj Jezusin si ‘Mesia i pritur’. Ungjilli i Markut është një tekst i treguar me
gjuhë të thjeshtë, të përshtatshme për atë që nuk e njeh Krishtin por që, përmes tregimit
të fjalëve të Tij e të ngjarjeve të jetës së Tij, mund të arrijë tek zbulimi i forcës
përtëritëse të mesazhit.
Marku na bën të vëmendshëm ndaj Mësuesit shpirtëror; na ndihmon ta dëgjojmë Mësuesin,
që flet me ne e në ne; na ndihmon t’i përgjigjemi, të flasim me Zotin, duke dëgjuar
fjalën e Tij. Na udhëheq në këtë udhë ‘katekumenale’, që është Ungjilli i Markut,
në një shtegtim të përbashkët me dishepujt e Mësuesit Hyjnor, drejt Jerusalemit, e
na siguron se në barkën tonë, pavarësisht nga shqotat e historisë – është vetë Krishti!.
Kujtojmë se festa e Shën Markut, nën titullin e Pajtorit të Venedikut e të shumë Kishave
që e kanë për pajtor qiellor, ndikoi në shtyrjen e kremtimit të Zojës së Këshillit
të Mirë apo Zojës së Shkodrës. Festa e Zojës së Këshillit të Mirë nisi të kremtohej
më datën 26 prill që kur Kështjella e Shkodrës, Rozafa ra në dorë të venecianëve të
cilët, duke dashur t’i kremtojnë të dyja festat, e lanë festën e shën Markut me 25
prill, kur e kremtonte Venediku, ndërsa e shtynë për një ditë më vonë festën vendase
të Zojës së Kështjellës.
All the contents on this site are copyrighted ©. |