2016-04-24 13:06:00

Françesku të rinjve: lumturia nuk ka çmim, nuk është App


“Mos u kënaqni me jetën e rëndomtë, me gjallimin ndenjur, ulur rehat-rehat”. Me këto fjalë iu drejtua në homeli Papa, 70 mijë të adoleshentëve dhe shoqëruesve të tyre, sot paradite, në Sheshin e Shën Pjetrit, gjatë Meshës për Jubileun e adoleshentëve. Të ardhur nga të katër anët e Italisë e të botës, e mbushën përplot Sheshin e Shën Pjetrit, sapo shkrepi agimi. Françesku i ftoi ta ndërtojnë ardhmërinë bashkë me të tjerët e për të tjerët, kurrë kundër të tjerëve, duke e bazuar mbi dashurinë, “kartë identiteti e të krishterit”.

Është i lirë, kush zgjedh të mirën

Françesku i ftoi të rinjtë të zgjedhin gjithnjë të mirën, duke u kujtuar se liri nuk do të thotë të zgjedhësh gjithmonë atë, që të shkon për shtat; kjo e bën njeriun të mbyllur në vetvete, larg të tjerëve, e pengon të jetë mik me zemër të hapur e të sinqertë: nuk është aspak e vërtetë se kur unë jam mirë, gjithçka shkon fare mirë. E atëherë, duhet të dish të dallosh, kujtoi Papa, sepse i lirë është ai, që zgjedh të mirën, që kërkon çka i pëlqen Zotit, edhe kur kjo është e lodhshme. Por vetëm me zgjedhje guximtare e të forta realizohen ëndrrat më të mëdha, ato, për të cilat ia vlen ta shkrish gjithë jetën.

Lumturia nuk është app, nuk ka çmim

Papa, pra, i quajti “guximtare e të forta” rrugët, që duhet t’i zgjedhin adoleshentët, sepse vetëm kështu mund të arrihet në majat e dëshiruara. Prej këndej, duhet t’i thonë ‘jo’ mediokritetit, jetës së rëndomtë, të rehatshme, por pa asnjë ideal:

“Mos i besoni kujt ju huton duke ju larguar nga pasuria e vërtetë, që jeni ju vetë, e duke ju thënë se jeta është e bukur, vetëm kur ke gjithçka të dëshiron zemra; mos u besoni atyre, që duan t’ju bindin se vleni vetëm, kur maskoheni si njerëz të fortë, si heronjtë e filmave, ose kur visheni me rroba të modës së fundit. Lumturia juaj nuk ka çmim e nuk tregtohet; nuk është ‘app’, që shkarkohet në celular; as varianti më i fundit nuk mund t’ju ndihmojë të bëheni të lirë e të mëdhenj në dashuri”.

Edhe këta të rinj, mbledhur sot në Sheshin e Shën Pjetrit, shumë nga të cilët sapo i kanë mbushur të 16-tat, janë të thirrur të zgjedhin rrugën vendimtare për jetën e tyre.

Dashuria ushqehet me besim, respekt, falje

Për t’i bërë këto zgjedhje rrënjësore, kërkohet edhe angazhimi rrënjësor i atij, që di të realizojë ëndrra të mëdha. Nëse i riu nuk di të ëndërrojë, ka dalë tashmë në pension. Rruga, që çon në realizimin e ëndrrave, është ajo e besimit, e respektit, e faljes. Dashuria nuk realizohet kur flasim për të, por kur e jetojmë: nuk është ndonjë poezi e ëmbël, për t’u mësuar përmendësh, por  rrugë e zgjedhur, për t’u vënë në jetë. E akoma:

“Kur të duket e rëndë të duash, kur është e vështirë t’i thuash jo, asaj që është e gabuar, shikoni Kryqin e Krishtit, pushtojeni e mos ia lëshoni dorën, që ju prin drejt lartësive e ju ngre përsëri, nëse rrëzoheni”.

Të thirrur për të ndërtuar ardhmërinë, së bashku me të tjerët

Papa ka besim tek të rinjtë, sepse ardhmëria e Kishës bazohet edhe mbi ta. E di se jeni të aftë për  miqësi e miqësi të mëdha – u tha Françesku. - Jeni të thirrur, kështu, të ndërtoni ardhmërinë: së bashku me të tjerët e për të tjerët, kurrë kundër ndonjë tjetri! Do të mund të bëni mrekulli, nëse përgatiteni mirë që tani, duke e jetuar plotësisht këtë moshë kaq të pasur me dhurata, e pa frikë nga lodhja e mundimi:

“Bëni si bëjnë kampionët e sportit, që i arrijnë caqet, duke u strëvitur me përvujtëri e ngulm, ditë për ditë. Programi juaj i përditshëm të jenë veprat e mëshirës. Stërvituni plot entuziazëm në to, për t’u bërë kampionë të jetës! Kështu do të njiheni si dishepuj të Krishtit. E gëzimi juaj do të jetë i përkryer!”.

Dashuria është karta e identitetit e të krishterit

Jezusi është udha. Për Papën, edhe nëse ti zhgënjehesh e largohesh prej Tij, Jezusi vijon të të dojë fort e të jetë pranë teje, të besojë në ty shumë më tepër, se beson ti në vetvete. E kjo është tepër e rëndësishme! Sepse kërcënimi kryesor, që të pengon të rritesh mirë, është kur me ty nuk merret askush, kur ndjen se  je i lënë mënjanë, i harruar. Dashuria, në fund të fundit, është karta e identitetit e të krishterit, i vetmi dokument me vlerë për t’u njohur si dishepull i Krishtit, dashuri konkrete, që nuk është - shtoi Papa – telenovelë.

Nëse rrëzoheni, ngrihuni menjëherë: Zoti ju do në këmbë

Edhe kur gabon, duhet të kesh guximin të shkosh përpara. Në jetë, vërejti Papa, njeriu nuk shpëton pa u rrëzuar. Rrëzohet gjithnjë, sepse jemi mëkatarë, jemi të ligshtë. Por, kur biem, dora e Zotit na shtrihet e na ngre përsëri në këmbë. Jezusi na do në këmbë! Na fton me atë fjalën e bukur, që ia pati thënë të paralizuarit: “Ngrehu!”. Zoti na krijoi për të qenë në këmbë. Kënga thotë kështu: “Në artin e ngjitjes, nuk ka rëndësi të mos rrëzohesh, por të mos mbetesh përdhe”. Duhet të kesh guximin të ngrihesh përsëri e përsëri në këmbë, ta lësh dorën e Jezusit të të ngrejë. E kjo dorë shpesh herë të vjen me pamjen e dorës së një miku, me dorën e prindërve, me dorën e njeriut, që të shoqëron në jetë. Edhe Jezusi vetë është aty. Ngrehu! Zoti ju do në këmbë! Gjithnjë në këmbë!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.