2016-04-24 15:55:00

Festa e të rinjve në Stadiumin Olimpik. Papa: të jeni dëshmitarë të faljes!


Festë e madhe me dëshmi e muzikë. Këtë atmosferë jetuan dhjetra mijëra adoleshentë, mbrëmë në Stadiumin Olimpik të Romës, duke kremtuar Jubileun e tyre. Papa u drejtoi një videomesazh.

Françesku i përshëndeti më se 60 mijë të rinjtë, ardhur në Romë për Jubileun e djemëve e të vajzave,  duke shprehur keqardhjen që nuk mundi ta jetojë bashkë me ta festën e madhe në Stadiumin Olimpik. E, në vijim, u kujtoi se i ndjek nga afër nismat e tyre dhe i falënderon për ‘pushtimin paqësor’ të Sheshit të Shën Pjetrit, pushtim, që u solli në mendje romakëve një festë tjetër të madhe, të paharrueshne: Ditën Botërore të Rinisë 2000, në dymijëvjetorin e krishterimit, kremtuar po në këtë vend, që këto ditë u mbush plot me djem e vajza, të cilët asokohe nuk kishin lindur akoma. Breznitë ndjekin njëra-tjetrën para Katedrales së Botës, për të mos e lënë kurrë bosh! Papa i falënderoi për praninë në Sheshin e shndërruar në rrëfyestore vigane, e edhe për kapërcimin e Portës Shenjte:

“Mos harroni se Porta është simbol i takimit me Krishtin, që na prin drejt dashurisë së Atit e na kërkon të bëhemi të mëshirshëm, siç është i mëshirëshëm Ai vetë”.

Veprat e mëshirës trupore – të paraqitura mbi shaminë, dhuratë me rastin e Jubileut - i përkasin jetës së përditshme, shpjegoi Papa. E na krijojnë mundësinë ta njohim fytyrën e Krishtit, në fytyrën e atij, që kalon në rrugën tonë, posaçërisht më të ligshtëve, refugjatëve, të huajve, të sëmurëve:

“Të jesh i mëshirshëm, do të thotë edhe të jesh i aftë për të falur. E kjo nuk është e lehtë, apo jo? Mund të ndodhë nganjëherë që, në familje, në shkollë në famulli, në palestër, ose në vendet e dëfrimit, ndokush mund të na bëjë ndonjë të pabërë e ne, doemos, ndjehemi të fyer; ose në ndonjë çast nervozizmi, mund t’i fyejmë, pa menduar fare, të tjerët. Nuk duhet të mbetemi me mllef në zemër, e as me dëshirën për të marrë hak”.

Të falësh e ta harrosh fyerjen që t’u bë, kujtoi Papa, të ndihmon të jesh dëshmitar i vërtetë i mëshirës. E qëllimi është i thjeshtë:  kuptimi i mësimit të Jezusit na ndihmon të provojmë lumturinë e vërtetë. Por që kjo të bëhet  e mundur, duhet të sillemi në mënyrë të drejtë:

“Djem e vajza, sa herë më ndodh t’i telefonoj miqve, e nuk mund të lidhem me ta, sepse nuk ka fushë … jam i sigurt se ju ndodh edhe juve që celulari, në disa vende, të mos ju marrë… Mirë, pra, kur në jetën tuaj nuk ndjehet prania e Jezusit, është njëlloj si të mos kishit fushë! Nuk mund të flasësh, mbyllesh në vetvete. Ta vëmë, prandaj, gjithnjë, atje ku merr. Në familje, në famulli, në shkollë, sepse në këtë mënyrë do të kemi gjithnjë diçka të mirë e të vërtetë për të thënë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.