2016-04-24 09:00:00

Dje, në Burgos të Spanjës u lumnuan Valentin Palencía dhe katër shokë të tij, martirë


Në Burgos të Spanjës,dje u kremtua Mesha Shenjte me ritin e lumnimit të Valentin Palencía Marquina, prift dioqezan, dhe katër shokëve të tij: Donato Rodríguez García, 25 vjeç; Germán García García, 24 vjeç, mësues vullnetar në Kolegjin e themeluar nga don Valentín;  20 vjeçari Zacarías Cuesta Campo, që mësonte muzikë në kolegj dhe Emilio Huidobro Corrales, 19 vjeç  nxënës në kolegj. Në këtë kremtim Papën e përfaqësoi kardinali Anxhelo Amato, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve. Duke e ftuar në mikrofonin tonë, i drejtuam pyetjen:

Pyetje: - Hirësi, ndokush thotë se nuk është e nevojshme të rikujtohet e kaluara, por duhet shikuar e sotmja dhe e ardhmja. Ç’mesazh na sjell, në këtë drejtim, lumnimi i martirëve?

Përgjigje: - Natyrisht, nuk duhet të kapemi vetëm pas së kaluarës, e sidomos, nuk duhet të lejojmë të përsëriten ngjarjet e saj mizore e çnjerëzore, siç ndodh shpesh në histori, kur harrohen! Ngjarje si persekutimi i viteve ’30. Prandaj mesazhi i lumnimit të Burgos është lajm i mirë për sot. Martirët mbjellin dashuri, jo urrejtje. Transmetojnë  ngrohtësinë e pranisë së Zotit, deri në zemrat e atyre, që s’dinin tjetër, veçse të vrisnin. Jeta e tyre e mirë lehtëson dhembjet  e shëron zemrat  e prekura nga sëmundjet e urrejtjes e të përçarjes. Martirët e bëjnë më të bukur e më të banueshme shtëpinë e njeriut, duke ftuar të mos përsëritet më e kaluara  e errët e gjakatare, por të ndërtohet e të jetohet një të sotme e ndritshme e vëllazërore. E ky është lajmi i mirë, që sjell çdo lumnim. Lumnimet na ftojnë t’i përgjigjemi hakmarrjes me falje, vdekjes me jetë, dhunës me dashuri. Prandaj Kisha vijon t’i kremtojë e t’i lumnojë martirët!  








All the contents on this site are copyrighted ©.