2016-04-24 17:40:00

Dita e martirizimit armen. Kardinali Sandri: shtegtimi i Papës, profetik


U kremtua me 24 prill përvjetori i “Metz Yeghern”, e “Keqja e Madhe”, siç e quajnë armenët. Është fjala për masakrën e tmerrshme të vitit 1915 të një milion e gjysëm armenëve. Në  Ditën e Kujtesës manifestuan në sheshe, si armenë, ashtu edhe italianë. Pasdite, në Kolegjin Papnor Armen, u kremtua një mbrëmësore lutjeje me kardinalin Sandri, prefekt i Kongregatës për Kishat Lindore.  E intervistuam:

Përgjigje: - Të kujtosh është gjithnjë rrugë, që duhet ta bëjmë, për të mos i harruar ngjarjet e tmerrshme të historisë njerëzore. Kujtesa është edhe periudhë pastrimi, për të kundruar sa e rëndë e sa e thellë është ligësia e zemrës njerëzore. E jo për të jetuar gjithnjë me këtë kujtim, të lidhur me të kaluarën, por për t’i hapur udhën ardhmërisë, mundësive të mëdha të pajtimit, të bashkëjetesës, kohëve më të mira. Prej këndej, besoj se është e detyrueshme ta kujtojmë të kaluarën e ngarkuar me padrejtësi të rënda kundër dinjitetit njerëzor, siç janë luftërat dhe të gjitha tipet e persekutimit e të padrejtësisë kundër njeriut, duke synuar që kujtesa të shërbejë për të rilindur një mundësi të re, një shpresë të re.

Pyetje: - E megjithatë, akoma sot, kujtimi i martirizimit armen ndikon për krijimin e tensioneve të rënda….

Përgjigje: - Po. Sigurisht. Sepse ka plagë, që nuk janë shëruar akoma, pas  këtyre fakteve të tmerrshme. E tani edhe ne jemi bërë të ndjeshëm përballë tragjedisë dhe të vdekurve të realitetit historik në Nagorno Karabakh, e shpresojmë se, me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, do të gjindet një zgjidhje e drejtë për një konflikt, i cili mund të ketë pasoja të rënda për të dy popujt, posaçërisht, për Armeninë, vend tejet i dashur për Kishën katolike, vendi i parë i krishterë! Shpresojmë se e gjithë kjo nuk do të shndërrohet në luftë ndërmjet feve e qëndrimeve kaq të ndryshme. Prandaj mendoj se ndërhyrja e atyre, që mund të ndihmojnë e që duhet të ndihmojnë, do ta gjejë një farë rrugëzgjidhjeje të përhershme, që të shmangen ndeshjet, të cilat nuk bëjnë tjetër, veçse t’i shtojnë më tej vuajtjet në historinë e popullit armen. Sikur të mos kishte vuajtur mjaft, në rastin e Armenisë. E që, për më tepër, i shtohen gjithë kësaj vale luftërash ndërmjet popujsh e fesh, të cilat e lëndojnë bashkëjetesën njerëzore.

Pyetje: - Në qershor Françesku do të shkojë në Armeni. Papa e dëshiron shumë këtë vizitë,  së cilës nuk i mungojnë aspektet e ndërlikuara…

Përgjigje: - Është vizitë në Kaukaz, me dy etapa: etapa e Armenisë, e pastaj edhe etapa e Gjeorgjisë dhe e Azerbajxhanit, siç është njoftuar nga Selia e Shenjtë. Po unë shikoj në këtë shtegtim të Papës, ashtu si në të gjitha shtegtimet, që ka bërë, përmasën e afërsisë, të takimit. Në Armeni Papa do të takohet kryekreje me Kishën Apostolike; Kishën, që ia hapi portat edhe Kishës katolike; Kishën, që priti Shën Gjon Palin II, i cili i krijoi mundësinë të ekzistonte, sepse atje, pas komunizmit, nga Kisha katolike nuk kishte mbetur asgjë. E njëkohësisht do të takohet edhe me popullsinë e do të mund të bëjë gjithçka bën në shtegtimet e tij apostolike; takime e afërsi, posaçërisht me ata, që vuajnë. Njëkohësisht është vetë takimi, vizita, që bëhet profeci për një botë më të mirë. Një botë, e cila i kapërcen përçarjet, i tejkalon këto realitete tejet të dëmshme, që i hapin plagë të reja jetës njerëzore. Shumë njerëz vuajnë e, posaçërisht, më të ligshtit: gratë, fëmijët e pleqtë. Janë ata, viktima të dyndjeve, të ndeshjeve. Janë ata, që marrin rrugën e refugjatit. Është kjo, që po na shohin sytë ditë për ditë, pamje, para së cilës, Papa bën gjeste si vizita në Lesbos - e akoma më parë, ajo në Lampeduzë - duke lëshuar atje një britmë: “Kjo nuk përkon me dinjitetin njerëzor! Nuk është e mundur që e gjithë kjo t’i nënshtrohet interesave të tjera e planeve të tjera të progresit, të mirëqenies për njerëzimin, që shkojnë e godasin mu në zemër këto popullsi të persekutuara, të cilat detyrohen të ikin nga shtëpitë, për shkak të luftës e të gjitha ndeshjeve të vazhdueshme, të njohura nga të gjithë, në Lindjen e Mesme. Prej këndej, unë shikoj në shtegtimin e Papës dy përmasa, që për mua, pasurohen me cilësi të tjera të jetës së Papës, por sidomos, shikoj në të - si ipeshkëv e si bari – Njeriun, që takohet, që ia hap zemrën kujt ka nevojë e që, njëkohësisht, kumton profetikisht një ardhmëri, të cilën duhet ta kuptojmë të gjithë, duhet ta bëjmë realitet të gjithë, sipas mundësive tona e sipas përgjegjësisë sonë. Do të isha i lum nëse dëshira e Papës për ta parë Armeninë e së ardhmes të hapur, mbartëse të të gjitha vlerave të saj në bashkësinë ndërkombëtare, do të bëhej realitet  për mbarë armenët, e sidomos, për popullin armen të diasporës. Uroj që ky shtegtim i Papës të jetë mbartës i së mirës si për Armeninë e shumëdashur, ashtu edhe për dy vendet e tjera: Gjeorgjinë, vend dhe ky i krishterë, e  Azerbajxhanin. Kaukazi duhet të jetë urë, siç thotë Papa duke cekur realitete të tjera, jo mur ndarjesh e luftërash, por urë, që të bashkojë Lindjen me Perëndimin!








All the contents on this site are copyrighted ©.