2016-04-23 00:00:00

Shenjtorët e javës 24 prill – 1 maj


Më 24 prill, Kisha katolike kremton të Dielën e Pestë të Pashkëve. Po më 24 prill kalendari përkujton shën Fedelin e Sigmaringen, meshtar kapuçin e martir dhe shën Marinë Heselblad, themeluese e murgeshave brigjidine. Liturgjia e ditës na nxit të meditojmë se për të mos pasur më uri as etje, duhet besuar në Jezu Krishtin, që është buka e jetës. Buka që u jep Moisiu hebrenjve, ndonëse zbret nga qielli, mbetet bukë që ushqen jetën tokësore e jo jetën hyjnore, jetën e amshuar. 

Të hënën më 25 prill, kalendari përkujton shën Markun ungjilltar. Ky shenjë ungjilltar me jetën dhe me veprën e tij na nxit t’ia kumtojmë vëllezërve lajmin e madh të shëlbimit, të ecim në gjurmët e apostujve, për të përhapur në të katër anët e botës Ungjillin, forcë që e shndërron gjithësinë e që provon praninë e Zotit ndërmjet njerëzve.

Të martën  më 26 prill, Kisha katolike festën e Zojës së Këshillit të Mirë, Pajtore qiellore e shqiptarëve. Festa i bashkon shpirtërisht gjithë shqiptarët rreth figurës së Zojës në shenjtëroren kombëtare rrëzë Kështjellës Rozafa, rrënimi dhe rindërtimi i së cilës do të mbetet në shekuj si simbol i ikjes e i rikthimit të përsëritur të Nënës së Zotit në trojet e në zemrat e shqiptarëve. Fugurja e mrekullueshme e Zojës së Këshillit të Mirë, origjinali i së cilës ndodhet në Gjenacan afër Romës, pasqyron gjithë historinë e katolicizmit në Shqipëri e në trojet tjerat shqiptare.

Të mërkurën më 27 prill, kalendari përkujton shën Simeonin, ipeshkëv i Jeruzalemit e martir. Liturgjia e kësaj dite e nxit besimtarin t’i bëjë vetes një pyetje që përshkon shekujt: “Si është e mundur që Jezusi të na ftojë të hamë korpin e Tij?”- e njëkohësisht të marrë përgjigjen: “Buka e tij nuk është si ajo hëngrën etërit e vdiqën. Korpi e gjaku i Tij janë bukë e vërtetë dhe pije e vërtetë!

Të enjten më 28 prill, kalendari përkujton shën Pjetrin Shanel, meshtar e martir i Oqeanisë dhe shën Luigjin Grinjon de Montfort, meshtar, themelues i Shoqërisë së Marisë. Liturgjia e ditës na kujton se, për fat të keq, shumë nga nxënësit, nuk i pranuan fjalët e Jezusit e u larguan nga Ai. Juda e tradhtoi. Ndërsa feja e Kishës u shpreh në besojmën e Pjetrit Apostull, që na kujton se e vetmja rrugë e drejtë është ajo që na çon te Krishti, sepse vetëm Ai i “ka fjalët e jetës së pasosur!”. 

Të premten më 29 prill, kalendari përkujton shën Katerinën e Sienës, virgjër, doktoreshë e Kishës, Pajtore e Italisë dhe bashkëpajtore e Evropës. Shën Katerina e Sienës me jetën e saj tregoi se vetëm dashuria e pasionuar për Krishtin e Kryqëzuar i sjell dritën e Zotit të ngjallur Kishës e shoqërisë civile. Liturgjia e ditës na kujton se gjithë jeta e Krishtit dëshmon se në zemrën e Zotit ka gjithnjë vend për çdo njeri, këndej edhe për ne. Gjithçka bëri Jezusi, e sidomos vdekja e ngjallja e Tij, janë vepër e Atit. E edhe gjithçka na ndodh në jetë, në se besojmë në Krishtin, na çon te Ati, që është gati t’i shpëtojë gjithë njerëzit e mbarë popujt. 

Të shtunën më 30 prill,  kalendari përkujton shën Piun V papë e shën Kuirinin, martir. Liturgjia e ditës na kujton se secili nga ne ka nevojë të gjejë rrugën e vet në jetë: Jezusi na fton të ecim pas tij, si grigja pas bariut, drejt gurrave të jetës. E jo vetëm në këtë botë, por në amshim. Liturgjia e të martës na fton të bashkojmë zërin në thirrjen: “Bekoje, o Zot, veprën e duarve tua”. 

Të dielën e ardhshme më 1 maji, Kisha katolike kremton të Dielën e Gjashtë të Pashkëve dhe festën e shën Jozefit punëtor që, duke e mbajtur Familjen Shenjte me punën dhe mundin e duarve të veta, u bë shembull e pajtor i të gjithë punëtorëve e të gjithë njerëzve që plotësojnë nevojat e familjes së tyre e të mbarë familjes njerëzore me punën e përditshme të duarve të tyre. Po me 1 maj për Kishën katolike fillon edhe muaji i Zojës.








All the contents on this site are copyrighted ©.