2016-04-22 15:50:00

“Jubileu. Viti Shenjt i mëshirës”: Pse Krishti flet me shëmbëlltyra?


Emisioni i 35-të i rubrikës sonë “Jubileu, Viti Shenjt i mëshirës” nis përsëri me një një pyetje: “Pse Krishti fliste me shëmbëlltyra?”. E vijon me një përgjigje.

Pse, pra, Krishti fliste me shëmbëlltyra e nuk përdorte mjete të tjera komunikimi? E pse kaq shumë shëmbëlltyra kushtuar mëshirës? Nuk i mjaftoi shëmbëlltyra e djalit plangprishës, ose, si quhet sot, e “babait të mëshirshëm”? Në se Jezusit i pëlqen ta tregojë mëshirën, më shumë sesa ta përkufizojë, ka arsyet e veta, të cilat po përpiqemi t’i  vëmë në dukje.

Pasqyra e jetës

Shëmbëlltyrat e Jezusit, duke përfshirë edhe ato kushtuar mëshirës, lidhen ngushtë me jetën edhe e shpjegojnë atë. Do të ishte e gabuar të mendohej se, pasi ta kesh lexuar një nga shëmbëlltyrat e Tij, duhet edhe ta shpjegosh. Përkundrazi; janë shëmbëlltyrat ato, që e shpjegojnë jetën e secilit nga ne e edhe e marrin në pyetje.

Shëmbëlltyra e dy huamarrësve dhe e huadhënësit (Lk7,41-43) frymëzohet nga situata e vështirë në shtëpinë e Simeonit, farizeut. Jezusi e lë një mëkatare t’ia lajë e edhe t’ia puthë këmbët. Krishti nuk ia fal mëkatin, sepse ajo po i lan këmbët. Ndërsa ajo ia lan, pse Zoti ia fali mëkatin. Të trija shëmbëlltyrat e mëshirës (Lk. 15,1-32) nisen nga fakti se Jezusi ha me mëkatarët. Ndërsa njerëzit, që e rrethojnë, mendojnë krejt ndryshe. Për ta, para Zotit naltohet ai, që naltohet para botës. Prej këndej e merr shtytjen  shëmbëlltyra e Lazrit. Ndërsa shëmbëlltyra e gjykatësit dhe e vejushës së pafytyrë (Lk 18,2-8), shpjegon rëndësinë e madhe, që ka lutja: po të jetë ngulmuese, ka forcë ta ndryshojë deri zemrën e Zotit. Shëmbëlltyra e farizeut tagrambledhës (Lk 18,10-14) lind nga pretendimi i disa njerëzve që i përulin të tjerët, për të lartuar vetveten.

Në shëmbëlltyrat e Jezusit pasqyrohet vetë jeta: lidhja e Krishtit me Atin e  me mëkatarët. Prandaj edhe personazhet e shëmbëlltyrave  janë anonimë e mjediset ku veprojnë, të zbehta; çdo njeri, që i dëgjon, merr pjesë menjëherë në ngjarje, duke  e vënë veten në të njëjtat situata e në të njëjtat lidhje, me të cilat ka të bëjë ditë për ditë.  








All the contents on this site are copyrighted ©.