2016-04-22 16:15:00

Mesazh i Papës adoleshentëve për Jubileun: synoni ideale të mëdha


“Synoni ideale të mëdha, gjëra të mëdha”. Kështu u shkroi Papa, janarin e kaluar, të rinjve e të rejave nga 13 deri në 16 vjeç, në Mesazhin për Jubileun e Mëshirës, që po kremtohet në Romë, përqendruar mbi temën: ”Të rriteni të mëshirshëm, si Ati”.

“Të rritesh i mëshirshëm, shkruan Papa, do të thotë të mësohesh për të qenë guximtar në dashurinë konkrete, pa interes, do të thotë të bëhesh i madh me trup e shpirt. Prandaj, shton, po përgatiteni që të bëheni të krishterë të aftë për rrugë e gjeste të guximshme, të aftë për të ndërtuar ditë për ditë, edhe në gjërat e vogla, një botë me paqe”.

“E nëse mosha juaj, vëren në vijim Françesku në mesazhin drejtuar adoleshentëve, është moshë ndryshimesh të pabesueshme, në të cilën gjithçka të duket e mundshme dhe e pamundshme njëkohësisht, mbahuni fort në fe, me shpresë të patundur në Zotin. E pikërisht këtu qëndron edhe sekreti i udhës. Sepse Zoti na jep guximin të shkojmë kundër rrymës. Me  Të mund të bëjmë punë të bindshme, siguron Papa, duke i ftuar adoleshentët të synojnë ideale të mëdha, mbi gjëra të mëdha”.

Një mendim të posaçëm Françesku ua kushton të rinjve, që jetojnë në kushte lufte, varfërie të madhe, lodhjeje të përditshme, braktisjeje: “Mos e humbni shpresën, i inkurajon, e mos u besoni fjalëve plot me urrejtje e terror, që përsëriten shpesh”, duke u kujtuar se Zoti ka një ëndërr të madhe për të realizuar së bashku me ta e se miqtë bashkëmoshatarë, që jetojnë në kushte më pak dramatike, nuk i harrojnë dhe impenjohen që paqja e drejtësia t’u përkasin të gjithëve.

Shpreh keqardhjen, më pas Papa, pse jo të gjithë djemtë e vajzat mund të vijnë në Romë për Jubileun, por pa harruar se edhe ata mund ta kremtojnë në Kishat vendase: “Mos përgatisni vetëm çantat e shpinës e parullat, i nxit Françesku të rinjtë, përgatisni sidomos mendjet e zemrat tuaja”.








All the contents on this site are copyrighted ©.