2016-04-22 18:30:00

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 5-të të kohës së Pashkëve “C”


Ja përsëri në takimin tonë javor me Liturgjinë e Fjalës së Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë leximet biblike të liturgjisë Hyjnore të dielës së 5-të kohës së Pashkëve, ciklit të tretë sipas kalendarit kishtar.
Liturgjia e Fjalës së Hyjnore e kësaj së Diele të 5-të ë kohës së Pashkëvena fton ti këndojmë dashurisë së Zotit, asaj Dashurie që na përtërinë e përmes nesh përhapet e shtrihet në mbarë botën. Kështu leximet biblike na propozojnë “risin e Pashkëve”, të rejat që na ka sjell Krishti Gjallë, Urdhrin e Dashurisë duke na ftuar të meditojmë e thellojmë pikërisht dinamizmin që Pashkët i japin historisë njerëzore. 
Hyji bën gjëra të reja e na fton të hyjmë në risin e tij. Bota nuk mund të shëlbohet (shpëtohet) përveç se nga dashuria; bota e njerëzimi do ta gjejnë paqen e vërtetë e përfundimtare vetëm në dashuri; bota e njerëzimi bëhen më të mirë vetëm atëherë kur lejojnë të ndriçohen, të frymëzohen dhe të udhëhiqen nga dashuria. Ky është urdhri që Jezu Krishtit na lë si program jete për ne, për familjet tona, për bashkësitë tona shoqërore e kombëtare, për botën mbarë: të duam, të duam, të duam ashtu siç na mëson Ai e duke imituar shembullin e Tij. 
Pra, masa e dashurisë është Krishti. “Po ju jap një urdhër të ri - na thotë Jezusi - duani njëri-tjetrin! Sikurse unë ju desha ju, po kështu edhe ju duani njëri-tjetrin! Nëse e doni njëri-tjetrin, të gjithë njerëzit do t’ju njohin se jeni nxënësit e mi”!. Këto fjalë nuk i përkasin së kaluarës, por na drejtohen ne e vlejnë për realitetin tonë bashkëkohor e na ofrohet si program jete. 
 
Emisionin tonë kushtuar Liturgjisë së Fjalës të Dielës së 5-të të Pashkëve mund ta dëgjoni edhe këtu

 
 Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Vap 14, 21-27
Në fund të udhëtimit të parë misionar Pali shqetësohet para së gjithash që bashkësitë e reja, të cilat ai ka themeluar, t’i bëjë të forta përballë persekutimeve. Dhe cakton në çdo bashkësi përgjegjës që garantojnë bashkimin dhe besnikërinë ndaj Ungjillit. Bashkësitë e krishtera janë krejtësisht të hapura, jetojnë në marrëdhënie me apostullin, i cili i vendos në kontakt ndërmjet tyre.

Lexim prej Veprave të Apostujve
Në atë kohë, Pali dhe Barnaba, pasi e kumtuan Lajmin e gëzueshëm në atë qytet, dhe, pasi bënë një numër të bukur nxënësish, kthyen në Listër, në Ikon e në Antikoki. I përforconin zemrat e nxënësve në qendresë të fesë, sepse – u thoshin – na duhet të kalojmë nëpër shumë vështirësi për të hyrë në Mbretërinë e Hyjit. Pasi luteshin e agjëronin, secilës kishe i emëronin udhëheqësin dhe ia porositnin Zotit, në të cilin kishin besuar. Atëherë kaluan nëpër Pisidi e erdhën në Pamfili. Pasi e predikuan fjalën në Pergë, zbritën në Atali. Aty hypën në barkë e udhëtuan për Antioki, prej kah patën qenë dërguar të porositur hirit të Hyjit për veprën që kryen.  Fjala e Zotit.

Psalmi 145
Do ta bekoj emrin tënd përgjithmonë, o Zot! 

--- --- ---
Zoti është vetë butësia e mëshira,
i ngadalshëm në zemërim dhe plot dashuri.
Zoti është i mirë për të gjithë,
i dhimbshëm për të gjitha krijesat e veta.
--- --- ---
Le të lavdërojnë, o Zot, 
të gjitha veprat e tua,
e le të bekojnë shenjtërit e tu.
Le ta tregojnë lavdinë e mbretërisë sate,
le të kuvendin për pushtetin tënd.
--- --- ---
Për t’ua shpallur njerëzve gjithëpushtetësinë tënde 
dhe lavdinë e madhërisë së mbretërisë sate.
Mbretëria jote është mbretëri e amshueshme, 
pushteti yt prej breznie në brezni.
--- --- ---

Leximi i dytë Zb 21, 1-5
Zbulesa na shfaq një njerëzim të shndërruar në ditën e dasmës së tij përfundimtare me Krijuesin. Atë ditë dashuria, tashmë e shfaqur, do të fshijë çdo rrudhë dhe çdo hidhërim nga fytyra e njeriut. 
Bota do të shkëlqejë me të njëjtin shkëlqim të Hyjit, toka dhe deti do t’ia lënë vendin Tokës së premtuar. Hyji do të jetë përgjithmonë me ne.

Lexim prej Zbulesës së shën Gjonit apostull
Unë Gjoni pashë një qiell të ri e një tokë të re, sepse qielli i parë dhe toka e parë u zhdukën, as deti nuk është më. Pashë edhe qytetin e shenjtë – Jerusalemin e ri: zbriste nga qielli, prej Hyjit, i stolisur porsi nusja e përgatitur për fatin e vet.
Atëherë dëgjova një zë të fortë që vinte nga froni: “Ja Tenda e Hyjit me njerëz! Hyji do të banojë me njerëz! Ata do të jenë populli i tij, kurse Ati, vetë Hyji, do të jetë me ta Hyji i tyre.” Ai do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. As vdekje më s’do të ketë, as vaj, as ofshame, as dhimbje më s’do të ketë, sepse bota e mëparshme mori fund. Atëherë Ai që rri mbi fron tha: “Ja, unë i bëj të reja të gjitha sendet!” Dhe shtoi: “Shkruaj! Këto fjalë janë të besueshme dhe të vërteta!”  Fjala e Zotit.

ALELUJA, aleluja.

Po ju jap një urdhër të ri, thotë Zoti: duani njëri-tjetrin, 
sikurse unë ju desha ju.
Aleluja

Ungjilli Gjn 13, 31-35
Jezusi është lavdëruar dhe merr pjesë në jetën e Atit. Hyji tani nuk jeton më vetëm në botën hyjnore, por jeton edhe në zemër të njeriut. Për një hebre, të jetë i lavdëruar, do të thotë t’i japë vlerë egzistencës së tij, duke zbuluar aftësitë e tij reale. 
Pra, çmimi për të cilin ia vlen të jetohet jeta është dashuria: dashuria që Jezusi u ka dhuruar njerëzve, dashuria që ne duhet t’i japim njëri-tjetrit.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit
Pasi Juda doli përjashta, Jezusi tha: “Tani u lavdërua Biri i njeriut! Edhe Hyji u lavdërua në të! Nëse Hyji u lavdërua në të, edhe Hyji do ta lavdërojë atë në vetvete. Po, madje menjëherë do ta lavdërojë!. Fëmijëzit e mi! Edhe pak kohë jam me ju! Do të më kërkoni, por, sikurse u thashë judenjve, tani po ju them edhe juve: ku unë po shkoj, ju nuk mund të vini.
Po ju jap një urdhër të ri: Duani njëri-tjetrin! Sikurse unë ju desha ju, duani edhe ju njëri-tjetrin! Nëse e doni njëri-tjetrin, të gjithë do t’ju njohin se jeni nxënësit e mi.”  Fjala e Zotit.








All the contents on this site are copyrighted ©.