2016-04-22 13:40:00

Françesku: i krishteri nuk mund të heshtë kur duhet kumtuar Krishti


Kumtim, ndërmjetësim, shpresë. Është trinomi mbi të cilin u përqendrua homelia e Françeskut gjatë Meshës, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës.

Papa nënvizoi se i krishteri është njeri i shpresës, njeri që shpreson se Zoti do të kthehet. Më pas, nxitja për të pasur guximin e kumtimit, ashtu si e patën Apostujt, që e dëshmuan Ngjalljen e Krishtit, duke e paguar edhe me çmimin e jetës.

E pikërisht sot bie 43-vjetori i kushteve rregulltare të Jorge Mario Bergoglios, që nesër, festa liturgjike e Shën Gjergjit, do të kremtojë edhe ditën e emrit.   

Tri përmasa të jetës së krishterë: “Kumtim, ndërmjetësim, shpresë”. Papa Françesku e mori shtytjen nga leximet e ditës për të ftilluar meditimin mbi këtë trinom, që duhet ta shquajë jetën e çdo të krishteri. Për të krishterin zemra e kumtimit - vërejti - është se Jezusi vdiq e u ngjall për shëlbimin tonë.

Ta kumtojmë Krishtin edhe me çmimin e  jetës, siç bënë Apostujt

Jezusi është i gjallë! Ky, kumti, që u dhanë Apostujt judenjve e paganëve të asokohshëm, e këtë kumt e dëshmuan edhe me jetën e tyre, me gjakun e tyre:

“Kur Gjoni e Pjetri u çuan para Sinedrit, pas shërimit të sakatit, priftërinjtë ua ndaluan ta përmendin emrin e Jezusit e, sidomos, të flasin për ngjalljen e Zotit. Por ata, të mbushur me guxim, thoshin: ‘Nuk mund të heshtim për çka pamë e dëgjuam’. Ky është kumtimi! E ne të krishterët, kemi Shpirtin Shenjt brenda nesh, e ai na bën ta shikojmë e ta dëgjojmë të vërtetën për Jezusin, që vdiq për mëkatet tona e u ngjall për shpëtimin tonë. Ky është kumti i jetës së krishterë: Krishti është i gjallë! Krishti u ngjall! Krishti është mes nesh, në bashkësitë tona, na ndjek, na shoqëron në udhën tonë”.

Shumë herë, komentoi Papa, ky kumtim nuk pranohet lehtë, por pavarësisht nga pranimet a mospranimet, Krishti i ngjallur është realitet, e duhet bërë dëshmi për këtë, ashtu siç na e kujton Shën Gjoni Apostull.

Jezusi ndërmjetëson për ne, duke ia treguar plagët Atit

Pas përmasës së kumtimit, Françesku foli për ndërmjetësimin. Gjatë darkës të së Enjtes së Madhe, pohoi, Apostujt qenë pushtuar nga trishtimi. Jezusi i pa e u tha: “Mos të trishtohet zemra juaj, kini besim! Në shtëpinë  e Atit tim  ka shumë banesa. Po shkoj t’ju përgatis një vend”:

“Ç’do të thotë kjo? Si e përgatit vendin Jezusi? Me lutjen e Tij për secilin nesh. Jezusi lutet për ne, e ky është ndërmjetësimi. Jezusi punon, këtë çast me lutjen e Tij për ne. Ashtu si, pak para se të pësonte Mundimet, i pati thënë një herë Pjetrit: ‘Pjetër, jam lutur për ty’ - kështu tani Jezusi  ndërmjetëson për ne pranë Atit”.

A është vërtet Jezusi shpresa jonë?

E si lutet Jezusi? - pyeti Françesku. Unë - u përgjigj - besoj se Jezusi ia tregon plagët Atit, sepse plagët i mori me vete, pas Ngjalljes; ia tregon plagët Atit e na kujton me emër secilin nga ne. Kjo, vijoi, është lutja e Jezusit. Në këtë çast Jezusi ndërmjetëson për ne; ky është ndërmjetësimi. Së fundi Papa u ndalua tek përmasa e tretë e të krishterit; shpresa. I krishteri, vijoi, është grua e burrë shprese, që shpreson se Zoti do të kthehet. Kisha mbarë - vijoi - është në pritje të ardhjes së Jezusit. Krishti do të kthehet. E kjo është shpresa e krishterë:

“Secili nga ne mund ta pyesë veten: e si është kumtimi i jetës sime? Si, lidhja ime me Jezusin, që ndërmjetëson për mua? E si është shpresa ime? Besoj vërtet se Zoti u ngjall? Besoj se i lutet për mua Atit? Sa herë që unë e thërres, ai është duke u lutur për mua, duke ndërmjetësuar? A besoj se Zoti do të kthehet? Do të na bënte mirë t’ia drejtonim vetes këto pyetje për fenë tonë: ‘A besoj në kumtim? Në ndërmjetësim? A jam burrë e grua e shpresës?”.








All the contents on this site are copyrighted ©.