2016-04-22 13:06:00

Falenderimi i Papës për të rinjtë argjentinas, në Polin e Veriut me “Laudato si’”


Papa Françesku u dërgon një letër një grupi të rinjsh nga Argjentina dhe nga vende të tjera të Amerikës Latine, me mision në Polin e Veriut. Ata kanë me vete një kopje të Enciklikës “Laudato si’”(Lëvduar qofsh), një degë ulliri – simbol i paqes, dhe flamurin e “Scholas Ocurrentes”, rrjetit botëror të shkollave, lindur me dëshirën e kryeipeshkvit të atëhershëm të Buenos Ajresit, Jorge Mario Bergoglio, sot, Papë. Udhëtimi është mesazh shprese për mbrojtjen e Gjithësisë së krijuar prej Zotit, u shkruan të rinjve Ati i Shenjtë.

         Papa Françesku vë në dukje se ndotja e ambientit është problem i rëndë dhe se nisma si kjo kontribuojnë për të sensibilizuar opinionin publik e për të kuptuar se ambienti po shkatërrohet dalëngadalë, se burimet natyrore nuk janë pa fund e duhen rinovuar, se atmosfera është aq e ndotur sa të ndikojë negativisht mbi njeriun dhe se shpërndarja e pasurive të kësaj bote është thellësisht e pabarabartë.

         Ky udhëtim, nënvizon Ati i Shenjtë, “tregon se me dashuri, impenjim e punë të përbashkët, është e mundur të shndërrohen muret e dikurshme në ura”. Papa i falenderon të rinjtë e “Scholas Ocurrentes”, që kanë çuar “britmën e ‘Laudato si’’ në acarin polar”, duke dëshmuar se gjithçka është e mundur. Së fundi, u kërkon të luten për të nga Poli i Veriut.








All the contents on this site are copyrighted ©.