2016-04-21 13:39:00

Toka Shenjte: në Jeruzalem nis restaurimi i Varrit të Krishtit


 Në Jeruzalem, punimet për restaurimin e Varrit të Krishtit do të nisin pas kremtimit të Pashkëve ortodokse, që sivjet bien më 1 maj. Do të dokumentohen vazhdimisht nga një grup prej tridhjetë profesorësh të National Technical Univesrsity të Athinës dhe prej specialistësh nga pala katolike e nga ajo armene. Restaurimi për ruajtjen e Varrit do të nisë falë marrëveshjes ndërmjet Kishës greko-ortodokse, asaj katolike (përfaqësuar nga françeskanët) dhe armene, tre konfesionet, të cilave u është besuar ruajtja e Bazilikës së Ngjalljes e edhe kishat e tjera të këtyre viseve. Financimeve të tre konfesioneve të krishtera do t’u shtohen edhe ato të qeverisë greke, të Fondit Botëror për ruajtjen e monumenteve (World Monuments Fund WMF), të bamirësve privatë dhe të mbretit të Jordanisë Abdallah II, në rolin e tij si Rojtar i Viseve Shenjte të Jeruzalemit lindor.

Do të restaurohen vetëm pjesët e dëmtuara nga koha

Do të ndërhyhet, shpjegon kanali i internetit i Rojtarisë së Tokës Shenjte, duke e çmontuar edikolën e Varrit Shenjt, për ta rindërtuar ashtu siç ishte. Kujtojmë se edikola quhet gjithë kompleksi, duke nisur nga tremja, ku trupi i të vdekurit, para se të kallej në varr, lyhej me aroma e mbështillej me qefin, si dhe dhoma e varrosjes, me bankën ku shtrihej kufoma. Varr tipik i kohës së Krishtit.  Do të zëvendësohen vetëm pjesët e dëmtuara ose tepër të brishta. Pllakat e mermerit, ende në gjendje të mirë, do të pastrohen, ndërsa struktura që ngrihet mbi varr, do të forcohet. Gjatë punimeve, Vendi Shenjt do të jetë i hapur për kultin dhe për devocionin e besimtarëve. Dëmtimet në vijim të Varrit të Krishtit, vendosur në qendër  të një kapele të rrumbullakët, quajtur Rotonda, janë pasojë e një sërë faktorësh, ndërmjet të cilëve, difektet e strukturave të ndërtesës, që nga koha kur u ngrit, si dhe frekuentimi jashëzakonisht i madh nga ana  shtegtarëve dhe turistëve. Shkaku kryesor i deformimit të blloqeve të mermereve është lagështira, prodhuar nga kondensimi i frymëmarrjes së vizituesve. Pastaj përdorimi i qirinjve të ndezur për orë e orë pranë edikolës. Presionet termike mbi mermerin dhe tymi i vazhdueshëm bëri që mbi të të duken njolla të zeza e vajore,  të cilat i oksiduan e i dëmtuan siperfaqet arkitektonike.

Ndreqja e fundit, më 1947

Vendi i varrosjes dhe i ngjalljes së Krishtit nuk është prekur që nga viti 1947, kur britanikët vendosën në edikola trarë prej çeliku, për të filluar, më pas, edhe restaurimin, që nuk nisi kurrë. E ndërtuar në vitet 1809-1810, pas zjarrit të madh, rënë këtu më 1808, që e dëmtoi  gjithë ndërtesën, mbi edikolën e sotme - me stil barok otoman - shenjat e dëmtimit u panë pas ndonjë dhjetëvjeçari. Deri në vitin 1868, kupola e Kapelës, që njihet me emrin rotonda, e mbronte fare pak edikolën nga tekat e kohës, sepse në majë kishte një hapësirë të rrumbullakët, nën qiell të hapur. Duke qenë Palestina nën mandatin britanik, inxhinierët e departamentit të punëve botore, (Departament of Public Works DPW) u përpoqën dy muaj të nxirnin nga autoritetet lejën për të inspektuar vendet. Sondazhi i bërë mbi varr tregoi se brenda kësaj ndërtese ruheshin mbetjet e një tjetre. Por drejtuesit e Kishave nuk ditën ta përfundojnë një marrëveshje të kënaqshme për ta shpëtuar këtë objekt kaq të rëndësishëm. Për dëmtimin e mëtejshëm ndikuan edhe tërmetet, që ranë vazhdimisht, sidomos ai i vitit 1934. Grekët, françeskanët (për llogari të latinëve) dhe armenët, bënë punime sporadike aty- këtu, po jo në varr.

Historia e edikolës, ku ruhet vendvarrosja e Krishtit

Varri i Krishtit u zgavrua rrëzë një kodre, në një gurore të braktisur. Kopshti i ngjalljes dhe varri u zhdukën, në vitin 135, nën Tempullin e ngritur nga Perandori Adriani. Rreth vitit 342, perandori Kostandin i kërkoi ipeshkvit Macario ta gjente varrin e Krishtit e të ndërtonte atje, ku qe varrosur Zoti, një bazilikë madhështore. Prej këndej nisi ndërtimi i Kishës së parë të Varrit Shenjt. U gërmua rreth dhomës së varrosjes, ku kishte pushuar Korpi i Krishtit, për të liruar një hapësirë e shkëmbi i zanafillës u vesh me mermere dekorative kostandiniane. Kështu u ngrit edikola e parë. Pjesërisht e dëmtuar nga persianët në vitin 614, e plaçkitur rishtas, e rrënuar me çomage në vitin 1099, me urdhërin e Al-Hakim bi-Amr Allah, u zëvendësua me një edikol tjetër, ndërtuar sipas mënyrës romake, në vitin 1014. Për shkak të motit të keq, zjarreve, plaçkitjeve, në vitin 1555 u realizua një ndërtesë shumë e ngjashme me të mëparshmen, por me stil gotik. Kështu e deshi Rojtari i Tokës Shentje, Bonifaci nga Raguza. Pas zjarrit të vitit 1808 u ngrit edikola e sotme, në pritje të restaurimit të ri.

Kanë kaluar më se dymijë vjet nga koha kur u  rrëmua ky varr, që u kthye në elterin më të shenjtë të krishterimit, duke i kapërcyer të gjitha situatat, të cilat do t’i kishin dhënë fund çdo ngrehine, që nuk do të kishte mbi vete vulën e Gjakut të vetë Zotit!








All the contents on this site are copyrighted ©.