2016-04-21 13:36:00

Papa: të përkujtojmë gjërat e bukura të Zotit në jetën tonë


I krishteri  duhet t’i kujtojë  mënyrat e rrethanat në të cilat e ndjeu praninë e Zotit në jetën e tij, sepse kjo e forcon në udhën e fesë. E  ky, edhe mendimi kryesor i Papës në homelinë e Meshës, kremtuar, si zakonisht, në Shtëpinë e Shën Martës.

Feja është udhë e, ndërsa e bën, duhet të kujtosh gjithnjë atë, që lë pas. Të kujtosh punët e bindshme, që bëri Zoti gjatë kësaj udhe, por edhe pengesat, refuzimet, sepse Zoti, siguroi Papa, ecën përkrah nesh e nuk trembet kurrë nga ligësitë tona.

Ta kujtojmë Zotin, që shëlbon

Françesku u rikthye tek tema, që e ka prekur edhe herë të tjera, duke u frymëzuar nga Leximi i parë, në të cilin Pali hyn të shtunën në sinagogën e Antiokisë e fillon të kumtojë Ungjillin, duke u nisur nga zanafilla e popullit të zgjedhur, nga Abrahami, për të kaluar tek Mosiu, tek Egjipti, Toka e Premtuar e deri tek ardhja e Jezusit ndër ne. Është predikim historik, ky që bëjnë dishepujt. Historik e themelor - nënvizoi Papa - sepse na krijon mundësinë t’i kujtojmë çastet më të spikatura e shenjat më të bindshme të pranisë së Zotit në jetën e njeriut:

“Të kthesh kokën pas për të parë sesi na shpëtoi Zoti, të ripërshkosh, me zemër e me mendje udhën e bërë, do të thotë të arrish hap pas hapi, tek Jezusi. E edhe vetë Jezusi, në çastin më të madhërishëm të jetës së Tij - të Enjten e të Premten e Madhe, në darkë - na dhuroi Korpin e Gjakun e tij e tha: ‘Bëjeni këtë në përkujtimin tim’. Në përkujtim të Jezusit. Për të mos harruar sesi na shpëtoi Zoti”.

Zoti respekton

Kisha e quan pikërisht “përkujtim” Sakramentin e Eukaristisë, ashtu si - pohoi Papa - në Bibël, Libri i Deuteronomit (Libri i Ligjit të Përtrirë) është libër i përkujtesës së Izraelit. Edhe ne - vijoi Françesku - duhet të bëjmë të njëjtën gjë në jetën tonë personale, sepse secili nga ne është vënë për udhë i shoqëruar nga Zoti, pranë Zotit ose duke u larguar nga Zoti:

“I bën mirë zemrës së të krishterit ta kujtojë udhën e vet: i bën mirë edhe zemrës sime të përkujtojë sesi e takova Zotin, si më  solli deri këtu ku jam, si më mori për dore. E edhe çastet kur i thashë Zotit: ‘Jo’, largohu nga unë! Nuk dua të më shoqërosh! Zoti të respekton. Është plot me respekt. Por ti duhet të kujtosh, të mos e harrosh udhën e jetës sate. Ta rikujtosh. E  këtë ta bësh shpesh. ‘Në këtë kohë Zoti më dhuroi këtë hir, e unë iu përgjigja kështu, bëra këtë e atë… Më shoqëroi. E pata përkrah’. E kështu, nga një takim, arrijmë tek një takim tjetër. Nga takimi, në takim. Në takimin e ngarkuar me mirënjohje”.

Kujtim i çasteve të bukura  

E nga zemra - vijoi Papa - duhet të lindë e të shpërthejë një “faleminderit” drejtuar Jezusit, që nuk pushon kurrë së ecuri pranë nesh, në historinë tonë. Sa herë - kujtoi sërisht Françesku - ia shkapetëm portën në fytyrë, sa herë bëmë sikur s’e pamë, sikur ai të mos ishte aty pranë, me ne. Sa herë e mohuam shëlbimin e Tij… Po ai ishte! Ishte aty! Pranë!

"Kujtesa na afron tek Zoti. Përkujtimi i veprave, që  bëri Zoti në ne, në këtë ri-krijim, në këtë ri-lindje, e cila na çon përtej shkëlqimit të lashtë, që kishte Adami në krijimin e parë. Po ju këshilloj këtë, thjesht: të kujtoni. Të kujtoni si kaloi jeta, si e jetova ditën e sotme, ose si ishte viti i fundit. Përkujtim! Kujtesë! Si ishin marrëdhëniet e mia me Zotin. Kujtim i gjërave të bukura, të mëdha, që Zoti bëri e bën në jetën e secilit nga ne”.








All the contents on this site are copyrighted ©.