2016-04-21 16:16:00

Imzot Urbanczyk: t’u garantohet kultura fetare pakicave


Në një çast kur forcat negative kërcënojnë bashkëjetesën paqësore në disa vise të botës, duhet bërë ç’është e mundur për t’i edukuar njerëzit me frymën e tolerancës, larg çdo diskriminimi. Kështu shprehet imzot Urbanczyk, Vëzhgues i Vatikanit pranë OSBE-së (Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë), duke i drejtuar fjalën Asamblesë, me rastin e 20-vjetorit të porosive të Hagës mbi të drejtën e pakicave kombëtare për arsim.

Është thirrje për theksimin e rëndësisë së identitetit fetar të pakicave kombëtare, kjo e Selisë së Shenjtë, e jo për shkaqe patërtisht sektare, shpjegoi imzot Urbanczyk, e aq më tepër sepse është e çinteresuar për aspekte të tjera, por sepse feja, siç është vërejtur edhe në të kaluarën, vijon të lërë gjurmë në historinë, identitetin, kulturën dhe jetën e shoqërisë e të bashkësisë. Në fjalën e  tij, Vëzhguesi i Selisë së Shenjtë nënvizoi me forcë se arsimi, posaçërisht ai shkollor, është themelor për formimin e njeriut me ndjesinë e tolerancës fetare. Jeta në shkollë e mëson njeriun t’i kundërvihet çdo lloj dikskriminimi, sepse i zbulon rrënjët e këtij fenomeni. Pikërisht në shkolla lehtësohen marrëdhëniet ndërmjet nxënësve të feve të ndryshme, prej këndej u takon posaçërisht shkollave t’u japin nxënësve njohuritë e nevojshme për fetë e ndryshme, duke u krijuar mundësinë ta shprehin lirisht besojmën e tyre. Njohja e feve të të tjerëve, mund t’i reduktojë keqkuptimet dhe stereotipet.

Programet shkollore të çdo tipi të arsimit, nga ai ushtarak, tek ai publik, duhet t’i thellojnë njohuritë si dhe respektin për kulturat e ndryshme, etnitë fetë, të edukojnë respektin për të drejtat e njeriut dhe për liritë themelore, duke u bazuar mbi vlerat më të larta, si dinjiteti i njeriut dhe solidariteti ndërmjet njerëzve.

Imzot Urbanczyk i nxiti të gjitha shtetet anëtare të OSBE-së ta respektojnë të drejtën e prindërve për të garantuar edukimin fetar e moral të fëmijëve, në përkim me bindjet e tyre, ashtu siç sanksionohet nga Konventa ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut, si dhe nga angazhimet e OSBE-së.








All the contents on this site are copyrighted ©.