2016-04-20 13:44:00

Thirrje e 270 krerëve fetarë për ratifikimin e marrëveshjes mbi klimën


Në prag të ceremonisë për nënshkrimin e marrëveshjes së Parisit mbi klimën (COP21), parashikuar më 22 prill në selinë e OKB-së në Nju Jork, 270 krerë fetarë bëjnë thirrje për t’i nxitur politikanët ta ratifikojnë sa më parë. Kujtojmë se kjo marrëveshje u arrit në dhjetor 2015, në Konferencën për klimën, në kryeqytetin francez. Një nga pikat kryesore të saj është kufizimi i rritjes së temperaturës globale në 1,5 gradë, i cili do të bëhet juridikisht i detyrueshëm vetëm nëse marrëveshja ratifikohet nga 55 vende, që, së bashku, duhet të përfaqësojnë së paku 55% të emetimeve të gazit serë.

Kujdesi për Tokën është përgjegjësi e përbashkët

         Thirrja, që iu dorëzua kryetarit të asamblesë së përgjithshme të OKB-së, Mogens Lykketoft, mban edhe firmën e kancelarit të Akademisë Papnore të Shkencave e të Shkencave shoqërore, imzot Marcelo Sànchez Sorondo, atë të ish-kryerabinit të Izraelit, She’ar Yashuv Cohen, të ish-Imamit të Madh të Lahores në Pakistan, Maulana Syed Muhammad Abdul Khabir Azad, të kryeipeshkvit anglikan afrikanojugor, Desmond Tutu dhe të Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit Botëror të Kishave, Olav Fykse Tveit. Në thirrje, përfaqësuesit fetarë kujtojnë se “kujdesi për Tokën është përgjegjësi e përbashkët” dhe se “secili prej nesh ka përgjegjësi morale veprimi, ashtu si pohon qartë Papa Françesku në Enciklikën ‘Laudato si’’ e siç thuhet në deklaratat për ndryshimet e klimës nga budistë, të krishterë, hinduistë, hebrenj, myslimanë, sikhë e liderë të tjerë fetarë”. Planeti, shkruhet në dokument, “i ka kapërcyer tashmë nivelet e sigurisë për gazin serë. E nëse këto nivele nuk ulen shpejt, ka rrezik të ndikojnë në mënyrë të pakthyeshme mbi jetën e qindra miliona njerëzve”.

Të luftojmë për alternativë ndaj kulturës së konsumizmit

         Një sfidë, që kërkon “guxim” e “ndershmëri” nga ana e të gjithëve, së pari, nga drejtuesit e popujve e të kombeve. Nga ana e tyre, krerët fetarë kërkojnë të kalohet vendosmërisht nga përdorimi i lëndëve djegëse fosile në burimet e pastra të energjisë. Kjo sjell ndryshime thelbësore në stilin e jetës, por, nënvizojnë përfaqësuesit e feve, “duhet të luftojmë për një alternativë ndaj kulturës së konsumizmit, e cila është kaq shkatërruese për ne dhe për planetin”. Konsensusi pa precedent në Paris, është arsye shprese për të ardhmen, sepse i ka hapur udhën bashkëpunimit global ndërmjet kombeve. Gjithashtu, ai dëshmon se vlerat e përbashkëta janë shumë më të rëndësishme se të gjitha ndryshimet, që i ndajnë popujt.

Klima dhe kriza e emigracionit, në një takim të Karitaseve amerikanoveriore

         Për ndryshimet e klimës dhe për pasojat e tyre të rënda ekonomike dhe shoqërore u fol këto ditë, në një takim të Karitaseve të Amerikës së Veriut, në Montreal të Kanadasë. Në takim, ku morën pjesë kardinali Luis Antonio Tagle dhe imzot Michel Roy – president dhe sekretar i përgjithshëm i Caritas Intenationalis – u vu në dukje se në bazën e krizës aktuale të emigracionit janë edhe pasojat e katastrofave natyrore, shkaktuar nga veprimtaria e njeriut.








All the contents on this site are copyrighted ©.