2016-04-20 18:32:00

Papa i puth duart meshtarit shqiptar don Ernest Simoni (Troshani)


Duke ia puthur të dyja duart, Papa Françesku priti sot paradite don Ernest Simonin (Troshani), meshtarin shqiptar, që kaloi 28 vjet nëpër burgjet e komunizmit, një nga të paktët, që jetojnë akoma sot. Ati i Shenjtë e pati përqafuar i mallëngjyer edhe më 21 shtator 2014 në Tiranë, pasi dëgjoi historinë e tij të persekutimit.

“Për 11 mijë ditë, don Ernesti iu nënshtrua torturave dhe punës së detyruar”, tregon në gazetën vatikanase “L’Osservatore Romano”, Mimmo Muolo, gazetar i së përditshmes kishtare italiane “Avvenire”, i cili ka shkruar librin me titull “Don Ernest Simoni. Nga persekutimi në takimin me Françeskun”. E ishte pikërisht meshtari ai, që sot paradite, i dorëzoi Papës një kopje të librit, së bashku me motër Marizën, përfaqësuese e Shtëpisë Botuese të Paolineve, që  e kanë nxjerrë vëllimin në libraritë e gjithë Italisë.

Historia e persekutimit

“Persekutimi im – thotë don Ernesti për gazetën e Vatikanit – filloi natën e Krishtlindjes së vitit 1963, kur, vetëm për shkakun se isha prift, u arrestova dhe u hodha në qelinë e izolimit, u torturova dhe u dënova me vdekje”. Shokut të qelisë i urdhëruan të regjistronte e t’i mbante mend fjalët e zemërimit, që parashikohej të thoshte don Ernesti. Por meshtari pati vetëm fjalë faljeje e lutjeje për torturuesit e tij. E kështu, dënimi me vdekje u shndërrua në 25 vjet me punë të detyruar, në miniera e në gjirizet e Shkodrës. “Në burg – kujton don Ernesti – e kam kremtuar meshën në latinisht, përmendësh, e kam dhënë edhe kungimin”.

Falje për torturuesit

Më në fund, më 5 shtator 1990, arriti lirimi i shumëpritur dhe don Ernesti filloi të kremtonte haptas meshë, shërbim, që nuk e kishte ndërprerë kurrë, siç thotë vetë, “por vetëm përjetuar në një kontekst të veçantë”. E akti i tij i parë qe konfirmimi i faljes për torturuesit e vet: “Për ta – saktëson – i kërkoj gjithmonë mëshirë Atit Qiellor”. Pyetjes së pashmangshme si ka mundur t’i rezistojë persekutimit pa u përkulur, meshtari i përgjigjet së pari, me buzëqeshje e, pastaj, zbulon “sekretin” e vet: “Unë s’kam bërë asgjë të jashtëzakonshme, i jam lutur Krishtit, kam folur gjithnjë për Krishtin”.

Persekutimi i Kishës në epokën e Bashkimit Sovjetik

Nga ana tjetër, “L’Osservatore Romano” i kushton një faqe të tërë temës së persekutimit të Kishës në epokën e Bashkimit Sovjetik. Më 21 prill, në orën 17.30, do të paraqitet vëllimi “Kisha Katolike dhe komunizmi në Evropën qendër-lindore e në Bashkimin Sovjetik”, hartuar nën kujdesin e Jan Mikrut. Do të flasin: kryeipeshkvi i nderit i Pragës, kardinali Miroslav Vlk, i cili ka shkruar edhe parathënien; sekretari i Kongregatës për Kishat Lindore, imzot Cyril Vasil; historiani jezuit, Nuno da Silva Concalves dhe vetë Mikrut. Sipas projektit editorial  do të publikohen edhe dy vëllime të tjera, ku do të analizohet “beteja e rafinuar dhe shumëformëshe e komunistëve kundër fesë në përgjithësi e, në veçanti, kundër Kishës Katolike”. Sidomos vëllimi i dytë do t’u kushtohet dëshmive të të krishterëve në Evropën qendër-lindore, ndërsa i treti do të trajtojë historinë e Kishës Katolike në territorin e Bashkimit Sovjetik.








All the contents on this site are copyrighted ©.