2016-04-19 15:41:00

Njoftim zyrtar rreth gjendjes shëndetësore të ipeshkvit imzot Lucjan Avgustini


Njoftim zyrtar rreth gjendjes shëndetësore të ipeshkvit imzot Lucjan Avgustini

Vau i Dejës 19.04.2016

Pas disa shqetësimeve shëndetësore, në fundin e muajit shkurt, Bariu i Dioqezës së Sapës, imzot Lucjan Avgustini, i është nënshtruar analizave specifike, në spitalin "Gemelli" në Romë, për të parë shkakun e tyre. Nga analizat e kryera, neurokirurgët e këtij spitali përmes një "ago biopsie me akses transfrontal majtas" kanë vënë re një masë qelizash të formuara dhe të zhvilluara në mënyrë krejtësisht të parregullt në tru.

Vendi, ku ndodhen këto qeliza të parregullta, është i atillë saqë nuk lejon asnjë ndërhyrje kirurgjikale. Aktualisht gjendja shëndetësore e tij është nën kontrollin e mjekëve të këtij spitali të cilët, janë duke përgatitur edhe terapinë e mundshme për bllokimin e këtyre qelizave. Terapia që do të ndiqet është ajo që, në këto raste rëndom përdoret, sikurse radioterapia.

Dioqeza e Sapës, kleri, bashkësitë e rregulltarëve dhe rregulltareve, besimtarët si dhe familjarët e imzot Avgustinit, i falënderojnë të gjithë njerëzit që përmes rrugëve të ndryshme kanë shprehur afërsinë e tyre, duke i uruar atij shërimin dhe kthimin sa më të shpejtë pranë grigjës së vet.

Me pëlqimin e klerit, rregulltarëve dhe rregulltareve, Dioqeza e Sapës qëndron e bashkuar në lutje duke u kërkuar së Lumes Nënë Tereza si dhe shërbëtorëve të Fesë në Shqipëri ndërmjetësinë e tyre për rikthimin e shëndetit të Bariut.

Me këtë rast, nga data 17.04.2016 në mbarë territorin e dioqezës, nga të gjithë besimtarët, lartohet drejt Zotit, i Cili gjithçka mundet, lutja e nëntëditëshes kushtuar Nënë Terezës. Në mbarim të kësaj nëntëditësheje, me dt 25, ditën e Festës së Shën Markut, Pajtorit të Dioqezës, si një zë i pareshtur lutjeje, në një adhurim 24 orësh të pandërprerë, i kemi ftuar të gjithë besimtarët që t'ia kushtojnë ndjetin e tyre për t'i kërkuar Atit të Lum shërimin e kësaj ligësie nga trupi i bariut tonë.

Të bashkuar në lutje!

Vikari i Përgjithshëm 
Dom Simon Kulli








All the contents on this site are copyrighted ©.