2016-04-19 11:57:00

Françesku: emigrantët janë dhuratë, jo barrë e rëndë


Emigrantët janë dhuratë, jo problem. Papa Françesku e nënvizon këtë në një videomesazh, të publikuar sot, në përkim me paraqitjen në Romë, të Raportit vjetor 2016 të Qendrës së jezuitëve Astalli për refugjatët. Ati i Shenjtë bën sërish thirrje të mos i mbyllim dyert e zemrat dhe denoncon indiferencën ndaj emigrantëve, që shpesh, karakterizon shoqëritë perëndimore.

Tragjedi e re në Mesdhe

         Pikërisht kur Egjipti dhe Italia po verifikojnë lajmin për një tragjedi të re në Mesdhe, ku duket se dje, janë mbytur së paku katër barka me rreth 200 vetë, Papa Françesku u kujton të gjithëve fjalët e Krishtit: “Isha i huaj e më përbujtët”. Kush ikën nga lufta, nënvizon Ati i Shenjtë, ose nga një gjendje ekonomike e vështirë, është vëlla me të cilin duhet ndarë buka, shtëpia e jeta:

         “Secili prej jush, refugjatë që trokisni në portat tona, keni fytyrën e Zotit, jeni korpi i Krishtit. Përvoja juaj e dhimbjes dhe e shpresës na kujton se të gjithë jemi të huaj e shtegtarë në këtë Tokë, të mirëpritur nga dikush me bujari e pa asnjë meritë”.

Ta kapërcejmë mbylljen dhe indiferencën e shoqërive tona

         Secili prej nesh, vijon Papa, mund të jetë urë, që bashkon popuj të largët, që bën të mundur takimin ndërmjet kulturave dhe feve të ndryshme, mund të jetë rrugë për të rizbuluar humanitetin tonë të përbashkët:

         “Sa herë nuk ju kemi pritur! Na falni për mbylljen dhe indiferencën e shoqërive, që kanë frikë nga ndryshimi i jetës dhe i mendësisë, të cilin e kërkon prania juaj. Trajtuar si peshë, si problem, si kosto, ju jeni dhuratë. Jeni dëshmia se si Zoti ynë, shpirtbutë e i mëshirshëm, di ta shndërrojë të keqen dhe padrejtësinë nga e cila vuani, në të mirë për të gjithë”.

Të dëshmojmë bukurinë e takimit me refugjatët

         Qendra Astalli, thekson më pas Papa, është shembull konkret i mikpritjes, lindur nga vizioni profetik i jezuitit Pedro Arrupe. Ati i Shenjtë i inkurajon vullnetarët dhe punonjësit e saj ta vijojnë udhën e nisur, e cila është gjithnjë e më e nevojshme për bashkëjetesën e pajtimin:

         “Qofshi gjithnjë dëshmitarë të bukurisë së takimit. Ndihmojeni shoqërinë tonë ta dëgjojë zërin e refugjatëve. Vazhdoni të ecni me guxim përkrah tyre, shoqërojini e lejojini edhe ata t’ju drejtojnë: refugjatët i njohin rrugët që çojnë drejt paqes, sepse e njohin erën e barotit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.