2016-04-18 18:04:00

Arbëreshi Manuel Nin shugurohet ipeshkëv në Romë


“Në ty, Mësuesi bëhet i pranishëm: ti i shenjtëron tiparet e tij”. Marrë nga shën Efrehemi, ky është programi ipeshkvnor i arbëreshit Manuel Ninit, hekzark apostolik për katolikët grekë të ritit bizantin. Deri tani, rektor i Kolegjit papnor grek në Romë, imzot Nin mori më 15 prill shugurimin ipeshkvnor në bazilikën papnore të Shën Palit jashtë Mureve, gjatë një liturgjie hyjnore të kremtuar nga ish-hekzarku apostolik, Dimitrios Salachas, nga kryeipeshkvi i Athinës, Sevastianos Rossolatos, nga eparku i Lungros i arbëreshëve të Italisë Kontinentale, Donato Oliverio, nga prefekti i Kongregatës për Kishat Lindore, kardinali Leonardo Sandri, nga kardinali kryeprift i bazilikës, James Michael Harvey, nga kryeipeshkvi i nderit i Barcelonës, kardinali Lluìs Martìnez Sistach, nga kryeipeshkvi i Taragonës, Jaume Pujol Balcells, nga kryeipeshkvi sekretar i Kongregatës për Kishat Lindore, Cyril Vasil, nga kryeipeshkvi i Urgell, Joan Enric Vives Sicìlia, nga abati epror benedektin, Notker Wolf dhe nga abati i Montserrat, Josep Maria Soler.

         Në përfundim të kremtimit, imzot Nin falenderoi Papën Françesku, i cili më 2 shkurt e emëroi hekzark apostolik, duke i dhënë selinë titullare ipeshkvnore të Carcabia (Tunizia e sotme). E duke cituar fjalët e shën Efrehemit, përvijoi programin e tij ipeshkvnor: “T’i bëj të dukshme në Kishën time dhe Kishës sime, që është në Greqi, ato tipare karakteristike të Mësuesit tim, të Zotit tim Jezu Krisht. Ungjillin e Tij, Fjalën e Tij të dashurisë, të faljes, të shpëtimit, të jetës së re”.

(Marrë nga "L'Osservatore Romano", 16 prill 2016)








All the contents on this site are copyrighted ©.