2016-04-17 13:31:00

Papa shuguron 11 meshtarë: jini të mëshirshëm. Pa kryq nuk ka Krisht


Pjesëmarrës në misionin e Krishtit, vijues të veprës së Zotit, të zgjedhur për të qenë shërbëtorë të bashkimit, sipas shembullit të Krishtit, Bariut të Mirë. Ky, në thelb, modeli, që u propozoi Papa, sot paradite, 11 meshtarëve, shuguruar prej tij në Bazilikën e Shën Pjetrit. “Me fjalë e me shembull, jini të mëshirshëm! Pa kryqin nuk do ta gjeni Jezusin”, qenë fjalët e Atit të Shenjtë, i cili në Ditën e 53-të Botërore të Lutjes për thirrjet meshtarake, nga faqja e tij në Twitter, shkruan: “Çdo thirrje në Kishë e ka zanafillën në vështrimin e dhembshur të Jezusit, që na fal e na fton ta ndjekim”.

          Por ç’do të thotë të jesh pjesëmarrës në misionin e Krishtit, Mësuesit të vetëm? Papa Françesku u kujtoi meshtarëve të rinj se ky është mandati i tyre, për këtë janë zgjedhur prej Birit të Zotit, Kryemeshtarit. Pastaj, i ftoi ta jetojnë Fjalën e Hyjit:

         “Çojeni tek të gjithë atë Fjalë të Zotit, që ju vetë e keni pranuar me gëzim. Kujtojeni historinë tuaj, dhuratën e Fjalës, që Zoti jua ka bërë përmes nënës, gjyshes – e siç thotë shën Pali – përmes katekistëve e gjithë Kishës. Lexojeni dhe meditojeni pa pushim Fjalën e Zotit për të besuar në çka lexoni, për t’ua mësuar të tjerëve çka keni kuptuar përmes fesë, për ta jetuar çka u mësoni të tjerëve”.

         Së dyti, Papa u tha meshtarëve të rinj ta vijojnë veprën shëlbimprurëse të Zotit, me fjalë dhe me shembull, me doktrinë e me aromën e dëshmisë së jetës. Vetëm kështu do të kontribuojnë në forcimin e themeleve të Kishës, shtëpi e Zotit. Flijimi i Krishtit, nënvizoi Ati i Shenjtë, i paraqitet botës pa dhunë, përmes duarve tuaja, që lartohen në elter, prandaj:

         “Kuptojeni çka bëni. Imitojeni çka kremtoni, sepse kështu, duke marrë pjesë në misterin e vdekjes dhe të ringjalljes së Zotit, bartni vdekjen e Krishtit në gjymtyrët tuaja dhe ecni me Të drejt risimit të jetës”.

         Të zgjedhur ndërmjet njerëzve për të ndjekur gjërat e Zotit, Papa i këshilloi meshtarët e rinj ta vijojnë me gëzim e dashuri të sinqertë veprën e Krishtit, duke pasur kujdes t’i pëlqejnë Hyjit e jo vetvetes. “Mbarteni vdekjen e Krishtit, ecni me Krishtin drejt risimit të jetës, pa kryqin nuk do ta gjeni kurrë Jezusin e vërtetë; e kryqi pa Krishtin nuk ka kuptim”, u tha Françesku të 11-tëve, duke e lënë mënjanë, për pak çaste, homelinë e shkruar. Ati i Shenjtë u kërkoi të jenë shërbëtorë të bashkimit në Kishë e sipas shembullit të Bariut të Mirë, të shërbejnë e jo të shërbehen, të mos rrinë në rehatinë e tyre, por të dalin, t’i kërkojnë e t’i shpëtojnë të humburit. “Të jeni të mëshirshëm”, ftesa e Papës:

         “Me Pagëzimin do t’i shtoni besimtarë të rinj Popullit të Zotit. Me Sakramentin e Pajtimit do të falni mëkatet në emër të Krishtit e të Kishës. E, ju lutem, në emër të po atij Zoti e, në emër të Kishës, ju kërkoj të jeni të mëshirshëm, shumë të mëshirshëm. Me vajin e shenjtë do të lehtësoni të sëmurët. Duke kremtuar ritet e shenjta e duke i lartuar Hyjit, gjatë orëve të ndryshme të ditës, lutjet e lavdit e të përgjërimit, do të bëheni zë i Popullit të Zotit dhe i njerëzimit mbarë”.

         I madh, emocioni i meshtarëve të rinj. Të thirrur me emër, një për një, u përgjigjën pa hezitim: “Ja ku jam!”. Nëntë prej tyre vijnë nga dioqeza e Romës, dy të tjerët i përkasin Kongregatës së Rogacionistëve të Zemrës së Krishtit dhe Konfederatës së Oratoreve të Shën Filip Nerit. “Zoti plotësoftë në ty veprën e vet, filluar që kur ishe fëmijë”: ky ishte bekimi i Papës për secilin prej meshtarëve të rinj.








All the contents on this site are copyrighted ©.