2016-04-16 00:00:00

Shenjtorët e javës 17- 24 prill


E diel 17 prill, Kisha katolike kremton të Dielën e Katërt të Pashkëve, gjithnjë më 17 prill kalendari përkujton shën Simeonin, ipeshkëv e martir, Robertin, abat. Liturgjia e kësaj së Diele të Pashkëve flet për Jezusin si bariun e mirë. Ai është bariu i dhembshur që na thërret për emër. Jemi të pasur me hire e bekime sepse  kujtojmë e përkujtojmë mrekullitë që Zoti i ka bërë për njeriun, e ndjejmë nevojën për t’i dhënë “faleminderit” për gjithë atë që na është ofruar e që kemi marrë. Këtë të diele kremtohen Dita botërore e lutjes për Thirrje (Vokacione) të shenjta.

Të hënën më 18 prill, kalendari përkujton shën Galdinin, kryeipeshkëv i Milanos e kardinal. Liturgjia e ditës kujton se të krishterët e vërtetë do të urrehen ose do të kundërshtohen gjithnjë. E ka parafolur vetë Jezusi, që është e Vërteta, por kush do të vijojë të ecë në rrugën e Tij, do të shëlbohet.

Të martën më 19 prill, kalendari kishtar përkujton shën Leonin IX, papë. Liturgjia e ditës na fton të shkojmë me gëzim në shtëpinë e Zotit e të kujtojmë se i krishteri është i thirrur të sjellë fryte vëllazërimi, dashurie e shenjtërie, gjithnjë i mbështetur në hirin e Zotit Liturgjia e ditës na kujton edhe një herë se Jezusi vjen nga Lart. Ai është Biri që Ati e do, Ai që ka marrë Shpirtin Shenjt me begati e krejtësisht është lënë në duart e Tij. Të mos e pranosh Krishtin, të mos besosh në Birin Hyjnor, do të thotë të mos e takosh Hyjin në jetë. Po sot më 19 prill, përkujtohet edhe përvjetori i zgjedhjes së Shenjtërisë së Tij, Papës së nderit, Benediktit XVI në fronin e Shën Pjetrit.

Të mërkurën20 prill, kalendari përkujton shën Aniçetin, papë e shën Anjezen nga Montepulçiano, virgjër dominikane. Liturgjia e ditës na kujton se Jezusi përkujdeset, me një mrekulli, t’i japë të hajë turmës që e ndiqte. Por ai ka ardhur për një jetë shumë më të lartë e i bën të gjithë ta kuptojnë këtë, duke u larguar nga skena e mrekullisë.

Të enjten më 21 prill, kalendari përkujton Shën Anselmin, kryeipeshkëv i Kënterbërit e doktor i Kishës e Shën Apollonin, filozof e martir romak. Liturgjia e ditës na nxit të meditojmë se largimi i Jezusit në vende të vetmuara nuk do të thotë se ai i braktis nxënësit e vet. Vetëm kur Krishti është në barkë bashkë me ta, frika zhduket e barka i afrohet bregut aq të dëshiruar.

Të premten më 22 prill, kalendari përkujton Shën Sotirin papë, Shën Kajon papë, shën Agapiton, papë e Shën Leonidën. Liturgjia e ditës na kujton dhurata e fesë në Krishtin, na sjell fryt dhuratën e Shpirtit Shenjt që na bënë të njohim Atin Qiellor, i cili na bënë dëshmitarë të tij e na bindë të kthehemi në udhën e jetës.

Të shtunën më 23 prill, kalendari përkujton Shën Gjergjin martir; Shën Adalbertin, ipeshkëv të Pragës e martir dhe Shën Marinë Gabriela Sagedus, virgjër çistecense. Liturgjia e ditës na kujton se turma e kërkon Jezusin, kryesisht sepse shpreson të hajë e të ngihet mrekullisht. Në sa Jezusi duhet kërkuar sepse Zoti na e dërgoi si shujtë shpirtërore për jetën e pasosur. 

Të dielën e ardhshme më 24 prill, Kisha katolike do të kremtojë të Dielën e Pestë të Pashkëve. Po më 24 prill kalendari përkujton shën Fedelin e Sigmaringen, meshtar kapuçin e martir dhe shën Marinë Heselblad, themeluese e murgeshave brigjidine. Liturgjia e ditës na nxit të meditojmë se për të mos pasur më uri as etje, duhet besuar në Jezu Krishtin, që është buka e jetës. Buka që u jep Moisiu hebrenjve, ndonëse zbret nga qielli, mbetet bukë që ushqen jetën tokësore e jo jetën hyjnore, jetën e amshuar. 








All the contents on this site are copyrighted ©.