2016-04-16 09:56:00

Papa në Lesbo: udhëtim mbi gjurmët e trishtimit, refugjatët nuk janë numra


Papa arriti në ishullin grek Lesbos: avioni preku tokën rreth orës 09.05 me orën italiane. Nisi një shtegtim mbi gjurmët e trishtimit - pohoi Françesku gjatë fluturimit - po shkojmë të takojmë katastrofën më të madhe pas Luftës II Botërore. Po shkojmë – vijoi – të shikojmë një mori njerëzish, që vuan e nuk di nga t’ia mbajë. Qëllimi kryesor i kësaj vizite është t’u çojmë ngushëllim gjithë këtyre refugjatëve. E ky është edhe pohimi i vetë Papës në mesazhin drejtuar presidentit  të Republikës së Italisë, Sergio Mattarella  dërguar në sa largohej nga trojet italiane.

E në një tweet, Françesku nënvizon: “Refugjatët nuk janë numra, janë njerëz: kanë fytyra, emra, histori e si të tillë edhe duhen trajtuar”.  

Tani Papa është në ishull: për ta pritur kishin dalë kryeminsitri grek Tsipras, Patriku i Kostandinopojës Bartolomeu dhe kryepeshkopi i Athinës dhe i gjithë Greqisë, Hieronymus. Nisi, kështu, një ditë sa e vështirë, aq edhe e rëndësishme për fatin e mijëra njerëzve, të shpërfillur nga njerëzimi! Por jo nga Krishti, që shkon t’i takojë përmes dishepujve të vet.








All the contents on this site are copyrighted ©.