2016-04-16 09:00:00

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 4-të të kohës së Pashkëve “C”


Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit, kësaj radhe do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 4-të të kohës së Pashkëve, ciklit të tretë, sipas kalendarit liturgjik.

Fjala e Zotit në këtë të Diele na paraqet Krishtin, Bariun e mirë,  siç quhet në traditën e. Në të tre vitet Liturgjike, A,B,C, lexohet kapitulli 10-të i Ungjillit të Gjonit, në pjesë të ndryshme të tij. Në këtë kapitull Krishti flet për vete duke u paraqitur si Bariu i Mirë. Sigurisht nga viti në vit, ngjyrimet janë të ndryshme, por ajo që mbetet e pandryshueshme, është lidhja e brendshme dhe jo vetëm funksionale, ndërmjet grigjës e Bariut të Mirë.

Këtu mund ta dëgjoni programin e plotë kushtuar Liturgjisë së Fjalës së Zotit të kësaj së diele të 4-të të Pashkëve.....


Nga pjesa e Ungjillit të kësaj së Diele (Gjn 10,27-30) ne mësojmë se Krishti nuk është rrogëtar, por Bari. Të njëjtën gjë duket sikur ai e pretendon nga Pjetri dhe të gjithë barinjtë tjerë, të cilëve ua besoi grigjën e tij, siç dëgjuam të dielën e kaluar në pjesën e Ungjillit, kur Jezusi i Gjallë ju shfaq dishepujve në bregun e detit të Tiberiadit. Kështu në pjesën e Ungjillit të dielës së kaluar, për tre herë rresht Jezusi ia beson grigjën e tij Pjetrit, duke i dhënë atij këtë detyrë baritore së cilës ai nuk mund t'i ike më. Por Pjetri bashkë me dishepujt e tjerë, është i thirrur të kullos grigjën e tjetërkujt, jo të veten. Në këtë kuptim, ata do të jenë vetëm administratorë , prijës, udhëheqës të grigjës së Krishtit, e jo rrogëtarë,  por barinj sipas shembullit të Bariut të Mirë, Jezusit, që jep jetën për delet e veta. Krishti pra është modeli dhe frymëzimi për barinjtë e Kishës të të gjitha kohërave. 

Thamë se ndërmjet Krishtit dhe grigjës ekziston një lidhje e brendshme dhe jo vetëm vartësie të jashtme. Po cilat janë tiparet e kësaj lidhjeje që na shfaqen në pjesën ungjillore të kësaj së diele? Në gojën e Jezusit, ungjilltari vendos fjalët: “Delet e mia e dëgjojnë zërin tim dhe unë i njoh dhe ato me ndjekin”.  “Delet e mia e dëgjojnë zërin tim...”.E dëgjojnë sepse në radhë të parë janë bërë të afta ta dëgjojnë zërin e Krijuesit të tyre. Në fakt tani ai zë është i ri. Në kopshtin e Edenit ai zë që e thirri Adamin, pas mëkatit origjinal e bëri atë të fshihej, kurse tani në epokën e re të përuruar nga Krishti, mëkati nuk ka më vend, kështu që krijuesi dhe krijesa shihen ballafaqas. Por dëgjimi është i lidhur ngushtë me dëgjesën, me bindjen.

Për të dëgjuar është shumë e nevojshme më parë të heshtësh, t'i krijosh hapësirë të brendshme këtij zëri që të mund të hyjë dhe të zërë vend brenda shpirtit tonë. Zëri i Bariut të Mire është i pranishëm e tingëllon fort në Fjalën e Tij e, si rrjedhojë në jetën e në traditën e tërë Kishës të të gjitha kohërave. Në mënyrë të veçantë ky zë tingëllon në lidhjen e brendshme të çdo njeriu me Zotin, nëpërmjet bashkëbisedimit –uratës me Hyjin, në atë që ne e quajmë lutje. Zëri i Bariut të Mire na flet sikurse i foli Moisiut, profetëve dhe në një mënyrë të padëgjuar më parë, vetë Jezusit në jetën e tij tokësorë. Zëri i Bariut të Mire është zëri i Hyjit, sepse Ai dhe Ati janë një gjë e vetme. 

Për të dëgjuar sa më mirë zërin e Hyjit është e nevojshme ta dallosh atë nga zërat e tjerë që janë të pranishëm në jetën tonë të përditshme. Në zhurmën që na rrethon, shpeshherë e ngatërrojmë zërin e tij me zërin e vetvetes apo me zërin e shumë sirenave, që joshin jetën tonë, me qellim që ta na largojnë nga Zoti, me premtimin e një jete më të lehtë dhe më të mirë. Ne e dimë se shpesh herë zëri i vetvetes ngatërrohet me zërin e Zotit. Prandaj lypet një vëmendje, sepse nuk është e lehtë ta dallosh gjithmonë. Sa herë ndoshta edhe ne meshtarët e dëgjojmë vetëm jehonën e zërit tonë, që përplaset në muret e egoizmit dhe të krenarisë? E sa e sa herë zëra të tjerë e maskojnë, sulmojnë apo e mbysin zërin delikat të Bariut të Mirë, i cili nuk imponohet, por na ofrohet e propozohet, për të ftuar në udhën e Jetës. 

E vërtet, po t’i kushtojmë vëmendje, zëri i Tij nuk mund të ngatërrohet me asgjë tjetër, me asnjë zë tjetër në këtë bote, pasi zëri i Tij na flet “...me autoritet...” për dashurinë, për jetën, për dhurimin e vetvetes, për drejtësinë e paqen. Është e nevojshme atëherë “...të dëgjojmë sot zërin e Tij e të mos e ngurtësojmë zemrën tonë...”.
“...unë i njoh e ato me ndjekin.” Bariu i Mirë i njeh delet e veta, i njeh në brendinë e tyre. Ai e njihte mirë Pjetrin dhe dishepujt e tjerë. Zoti e njeh mirë njeriun sepse e ka krijuar dhe e ka bërë të aftë ta njohë edhe ai Zotin. Njohja që Zoti ka për ne është një njohje personale. Na njeh secilin për emër dhe nuk na ngatërron me njëri-tjetrin. Ai e di kush jemi “...na njeh dhe na shqyrton. E di kur çohemi dhe kur ulemi”. Na ka njohur para se të ishim, para se të lindnim. 
Zoti na njeh edhe në skutat më të errëta të jetës sonë, sepse ai është arkitekti i këtij tempulli në të cilin ka vendosur të banojë: “Ju jeni tempull i Shpirtit te Shenjte” na thotë Shën Pali.

Jezusi na njehë edhe në ato përmasa, që për të tjerët janë të padukshme, të panjohura e të pashqyrtueshme. Vetëm Ai e di se çfarë ka brenda zemrës së një njeriu. Por ai është delikat në njohjen e tij. Nuk e dhunon lirinë tonë. Nuk është sy që kontrollon gjithçka për të sunduar. Por është Atë që na njeh e na do pa masë. Duke na njohur Ai na thërret me emër, sikurse i thirri dishepujt e tij. Na beson misionin që Ai ka menduar për ne në amshim dhe që ai e di mirë se ne mund ta kryejmë, por gjithashtu ai duke na njohur mirë, di të falë brishtësinë tonë e të na çojë aq herë sa biem, për shkak të dobësisë sonë e në saje të dashurisë. 

Askush nuk është anonim para syve të tij, askush nuk është i panjohur, askush pa identitet. Ja çfarë dinjiteti të madh i ka dhënë Zoti njeriut. Vetëm duke dëgjuar zërin e tij dhe duke e ditur se ai na njeh mirë, është e mundur që ne të shkojmë pas tij, sikur Pjetri, për çka foli pjesa e Ungjillit të dielën e kaluar.
Këtë të Diele, Kisha lutet edhe për thirrjet e shenjta meshtarake e rregulltare. Kështu, t'i kërkojmë me këmbëngulje Hyjit të na dërgojë Barinj, madje barinj të mirë, sipas zemrës së Tij.

Mbështetja nëpërmjet lutjes është mbështetja më e mirë që mund t'u jepet meshtarëve dhe ipeshkvijve në misionin e tyre impenjues, të vështirë e shumë të lartë, në shërbim të Zotit e të popullit të Tij, Kishës. T'ia besojmë jetën tonë Bariut të Mirë. Askush nuk mund të na shkëpusë nga duart e Tij, askush nuk mund të na ndajë nga dashuria e Tij.

          Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Vap 13, 14.43-52
Pali dhe Barnaba konstatojnë që ungjillëzimi është i lidhur ngushtë me persekutimin. Çdo herë që Pali u drejtohet hebrenjve, përplaset me refuzimin e tyre; por ky është një fakt pozitiv, sepse shtyn apostullin për t’ua shpallur Ungjillin paganëve. Çdo mision duhet të kalojë përmes provës, në fakt duhet shumë guxim për të qenë të krishterë. Kur fillohet të jetohet seriozisht Ungjilli, shfaqet hija e kryqit. 

Lexim prej Veprave të Apostujve 
Në ato ditë, Pali e Barnaba u nisën nga Perga e arritën në Antiokinë e Pisidisë. Të shtunën hynë në sinagogë dhe u ulën. Kur u shpërndanë prej sinagogës, shumë judenj dhe proselitë të përshpirtshëm shkuan pas Palit e Barnabës, të cilët i porositnin dhe i nxitnin të qëndrojnë në hirin e Hyjit. 
Të shtunën mbas ngarendi pothuajse mbarë qyteti për të dëgjuar fjalën e Zotit. Judenjtë, kur panë të gjithë atë shumicë populli, i kapi smira, zunë t’u kundërshtojnë me të shara fjalëve të Palit. 
Atëherë Pali e Barnaba u thanë plot guxim: “Më së pari është dashur t’u shpallet juve fjala e Hyjit. Por, mbasi ju e përbuzni dhe veten nuk e çmoni të denjë për jetën e pasosur, atëherë ne po u drejtohemi paganëve. Sepse kështu na ka urdhëruar Zotëria: ‘Të kam caktuar të jesh dritë për paganët, që ta çosh shëlbimin deri në skajin e tokës’.” 
Paganët, kur i dëgjuan këto, gëzoheshin dhe e madhëronin fjalën e Zotit dhe të gjithë ata që e ndinin veten të caktuar për jetën e pasosur, u bënë besimtarë. E fjala e Zotit hapej nëpër mbarë atë krahinë. Por hebrenjtë ngucën disa gra në shenjë që besonin në Hyjin dhe krerët e qytetit e shkaktuan një salvim kundër Palit e Barnabës dhe i dëbuan prej vendit të tyre. Ata atëherë e shkundën pluhurin e këmbëve të veta si dëshmi kundër tyre dhe shkuan për Ikon. Ndërkaq nxënësit mbusheshin me gëzim dhe me Shpirt Shenjt. Fjala e Zotit.

Psalmi 100
Ne jemi populli i tij
dhe delet e kullotës së tij

--- --- ---
Toka mbarë le t’i brohoritë Zotit,
shërbeni Zotit me hare,
dilni para tij me brohoritje!
--- --- ---
Dijeni mirë se vetëm Zoti është Hyj:
Ai na krijoi e atij i përkasim:
jemi populli i tij dhe delet e kullotës së tij.
--- --- ---
Sepse i mirë është Zoti,
e amshuar dashuria e tij,
nga breznia në brezni besnikëria e tij.
--- --- ---

Leximi i dytë Zb 7, 9.14-17

Gjoni na paraqet parajsën si një festë shumë të madhe popullore, në të cilën lavdërohet Hyji dhe takohen të gjithë vëllezërit. Pjesëmarrësit janë veshur me të bardha, ngjyra e gëzimit, e pafajshmërisë, dhe kanë në duar palma, simbolin e fitores. 
Është një ftesë e madhe për shpresë për të krishterët e persekutuar të së shkuarës. Edhe për ne është një qëllim për të arritur në atë festë, edhe pse jetojmë dramën e ndarjes, të moskomunikimit dhe të boshllëkut të egzistencës.

Lexim prej Zbulesës së shën Gjonit apostull
Unë Gjoni pashë: një shumicë të madhe që askush s’mund e numëronte, prej çdo kombi, çdo fisi, populli dhe gjuhe! Qëndronin në këmbë para fronit dhe para Qengjit të veshur me petka të bardha e me palma në dorë. 
Dhe engjëlli më tha: “Këta janë ata që erdhën nga prova e madhe; i lanë petkat dhe i zbardhuan në gjakun e Qengjit. Prandaj edhe qëndrojnë para fronit të Hyjit dhe i shërbejnë ditë e natë në tempullin e tij, dhe Ai që rri në fron do t’i shtijë nën tendën e vet. Më kurrë s’do të kenë uri, më kurrë s’do të kenë etje, më s’do t’i djegë dielli as rrezet e tija. Sepse Qengji që është në midis të fronit do t’i kullosë dhe do t’i çojë në burimet e ujërave të jetës. Edhe Hyji do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre.” Fjala e Zotit.

ALELUJA, aleluja.
Unë jam Bariu i mirë, thotë Zoti: i njoh delet e mia dhe ato më njohin mua.
Aleluja

Ungjilli Gjn 10, 27-30
Jezusi deklaron se vetëm kush ka zemrën e hapur ndaj besimit mund të pranojë fjalët e tij. Judenjtë presin që Jezusi të jetë Mesia sipas mentalitetit të tyre të paracaktuar. Janë ata që deklarojnë karakteristikat e sakta që duhet të ketë Mesia. Për të hyrë në besim është e nevojshme të jemi të gatshëm për të realizuar planin të Hyjit, e jo të jetojmë sipas botëkuptimit njerëzor.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit
Në atë kohë, Jezusi tha: “Dhentë e mia e dëgjojnë zërin tim; unë i njoh dhe ato vijnë pas meje. Unë u jap jetën e pasosur, kurrë nuk do të sharrojnë: askush nuk do t’i rrëmbejë prej dorës sime. Ati im që m’i dha, është më i madh se të gjithë dhe askush s’mund t’i rrëmbejë nga dora e Atit. Unë dhe Ati jemi një.” Fjala e Zotit.








All the contents on this site are copyrighted ©.