2016-04-15 14:06:00

Papa, në Shën Marinë e Madhe, u lut për vizitën e tij në Lesbos


Mbrëmë Papa shkoi përsëri në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe ku u gjunjëzua në lutje para Ikonës së Zojës Salus Populi Romani, duke i kërkuar Nënës së Zotit ta mbrojë gjatë vizitës, nesër, më 16 prill, në Lesbos të Greqisë. Françesku vuri tek këmbët e Zojës së Bekuar një tufë me trëndafilë të bardhë dhe të kaltër, sipas ngjyrave të Greqisë. Njoftimin e dha atë Federico Lombardi, drejtor i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë.

Dje paradite atë Lombardi mbajti një takim, kushtuar programit të këtij shtegtimi, duke pohuar se ka karakter ngushtësisht humanitar dhe ekumenik.

Qe krejtësisht i papritur, njoftimi për vizitën e Papës në Lesbos, vizitë që, siç ndodhi edhe me atë të Lampeduzës, bëhet në një çast  krize të rëndë humanitare për emigrantët dhe refugjatët. Atë Lombardi e shpjegoi, kështu,  domethënien e kësaj vizite të shkurtër: 5 orë në këtë tokë kufitare, pak kilometra larg bregdetit turk e, për këtë arsye, cak kah i cili drejtohet kush ikën nga lufta, tani posaçërisht nga Siria. Prej këndej, siç kujton Selia e Shenjtë, nuk duhet vlerësuar si vizitë politike, e aq më pak, si qëndrim kritik për mbarështimin e emigracionit nga ana e Bashkimit Evropian:

“Shtegtimi, a vizita, nëse duam ta saktësojmë më mirë, ka natyrë ngushtësisht humanitare dhe ekumenike, në kuptimin se është vizitë, që Papa do ta kryejë bashkërisht me Patrikun ekumenik dhe kryepeshkopin e Athinës. Nuk ka të bëjë, prandaj, me asnjë kthesë në qëndrimet politike, ose të ndonjë natyre tjetër, ka vetëm karakter thellësisht humanitar, të jetuar me frymë ekumenike”.

Që bëhet fjalë për një situatë, në të cilën shumë njerëz vuajnë nga shkaku i një mori problemesh ende të pazgjidhura, me karakter humanitar – vijoi atë Lombardi - kjo më duket se është absolutisht e qartë. Vetë fakti se jemi para një situate serioze e të rëndë, me karakter humanitar, që duhet vënë në qendër të vëmendjes, do të thotë se ka ende shumë për të bërë, derisa të arrihet tek rrugëzgjidhjet e denja për njeriun:

“Kjo vizitë lindi nga shqetësimi i Papës për gjendjen e emigrantëve dhe të refugjatëve. Shqetësim që Ati i Shenjtë, siç e dimë, e ndan me Patrikun Bartolomeu, me të cilin është në përkim të plotë, e edhe me Kishën ortodokse greke, e cila po jeton, në vendin e vet, situatën tejet të rëndë,  tashmë të njohur nga të gjithë”.

Më pas, programi i vizitës, transmetuar në emisionin e djeshëm.








All the contents on this site are copyrighted ©.