2016-04-15 17:34:00

Kardinali Parolin në Poloni: urgjent, ungjillëzimi në Evropën e shekullarizuar


“Besnikëria ndaj Zotit, ndaj Ungjillit dhe Selisë Apostolike ka ngjallur respekt dhe njohje nga popujt e tjerë, duke e bërë Kishën në Poloni,  bastion feje e dashurie të krishterë dhe dritë, në errësirën që herë pas here e mbështillte Evropën”. Këtë theksoi sot paradite kardinali Pietro Parolin, sekretar i Shtetit të Vatikanit, në përshëndetjen drejtuar asamblesë plenare të Konferencës ipeshkvnore polake, në Poznan, me rastin e 1050-vjetorit të Pagëzimit të Polonisë.

Pa dyshim Polonia - vijoi prelati i lartë - mbeti përherë besnike falë rrënjëve të thella, që pati gjithnjë feja në zemër të popullit polak, mirëpritur e mbështetur nga barinjtë, që i edukuan besimtarët me një përshpirtëri të qëndrueshme ungjillore,  të prirë nga Maria, Mbretëreshë e Polonisë. Kjo  u duk qartë posaçërisht kur Shërbëtori i Zotit, Primati Stefan Wyszyński, e udhëhoqi me dorë të sigurt Kishën ndërmjet trazirave të komunizmit ateist dhe Papa Gjon Pali II, me veprën dhe me dëshminë e tij, e gjallërori depozitën e paçmuarshme të fesë, që përfshin të gjitha të vërtetat e fesë, të trashëguara e të ruajtura në rrjedhë shekujsh.  

Kardinali Parolin, që ndodhet në Poloni si legat papnor, i nxiti polakët ta vijojnë këtë trashëgimi, si Kishë në dalje, ashtu siç dëshiron Papa Françesku, plot me vëmendje për të varfërit e në dialog me të gjithë. Së fundi, sekretari i Shtetit të Vatikanit kujtoi vendin qëndror, që duhet të zërë gjithnjë familja, qelizë themelore e shoqërisë, siç pohon Papa, vend ku mësohesh të bashkëjetosh në larmi, t’u përkasësh të tjerëve e ku prindërit ua transmetojnë fenë fëmijëve.

Dje pasdite, në përfundim të Meshës, kremtuar në katedralen e Gnieznos, së bashku me kryeipeshkvin Wojciech Polak, kardinali Parolin pohoi se angazhimi ungjillëzues është më i nevojshëm se kurrë, në shoqërinë evropiane gjithnjë më të shekullarizuar.








All the contents on this site are copyrighted ©.