2016-04-15 14:09:00

Imzot Jurkovič tek Papa: spontan, vendimi për të shkuar në Lesbos


Sot Papa priti kryeipeshkvin Ivan Jurkovič, vëzhgues i ri i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Zyrës së OKB-së të Gjenevës. Ndërmjet temave të prekura gjatë takimit, udhëtimi i nesërm i Françeskut në Lesbos për t’u shprehur afërsinë refugjatëve, që ikin  nga lufta në Lindjen e Mesme.  imzot Ivan Jurkovič,  në mikrofonin tonë,  flet për këtë takim:

Përgjigje: - Ai më shprehu disa nga shqetësimet e tij lidhur me këtë botë të OKB-së. Besoj se përshtypja e parë e Papës, ishte e papritura e tmerrshme e viteve të fundit, trokitja e luftës tek portat tona, me të gjitha psojat e saj. Më tha se e mori krejt spontanisht vendimin për të bërë diçka në ndihmë të refugjatëve e se pati menjëherë edhe përgjigjen pozitive nga ana e Kishës ortodokse greke. Urgjenca e situatës na nxit të bashkëpunojmë ngushtësisht, e edhe ta shikojmë me të njëjtin sy. Papa më tha, pastaj, se çka e çudit gjithnjë më shumë, janë dinamikat e zhvillimit të ekonomisë botërore, që nuk prodhojnë punë. Flitet e flitet për prodhim. Prodhohen edhe pasuri të mëdha. Po një pjesë e mirë e njerëzve mbetet pa punë…

Pyetje: - Ju  e njihni mirë Evropën. Me ç’sy e shikoni ngritjen e mureve edhe brenda saj?

Përgjigje: - Çdo argument mund të përballohet parë nga dy këndvështime: njëri është ai dramatik, kategorik, edhe simbolikisht i rëndë, që e kemi parasysh e na trondit. Njëkohësisht, edhe nevoja për të marrë mbi vete përgjegjësitë, që na takojnë. Të mbyllësh a të mos mbyllësh kufijtë, për këtë nuk di ç’të them.  Di vetëm se përballë gjithë këtyre njerëzve, që vuajnë, duhet një përgjigje e organizuar, e koordinuar.

Probleme ka, e shumë. Disa do të zgjidhen, të tjerat jo. Besoj se do të vijnë kohë më të qeta se këto që po jetojmë. Problemi kryesor është se duhet vepruar në mënyrë, që të mos kemi arsye për t’u turpëruar për këtë, që po bën Kisha sot.  Mendoj se duhet të jemi krenarë, që reaguam në mënyrë kaq të prerë. Edhe pse nga Kisha nuk mund të pritet reagim tjetër.








All the contents on this site are copyrighted ©.