2016-04-15 16:20:00

Françesku në Lesbos: Mjekët pa Kufij urojnë t’i zgjojë ndërgjegjet


Në kampin e strehimit të Mories, në Lesbo, që Papa do ta vizitojë nesër, më 16 prill, deri më 20 mars ishin të pranishëm veprimtarët e Mjekë pa Kufij që, në marrëveshje me Bashkimin Evropian dhe Ankaranë, vendosën ta mbyllin veprimtarinë e tyre brenda hotspot, apo pikave të strehimit të refugjatëve, për të mos u bërë - sipas denoncimit të tyre - bashkëfajtorë në një sistem, të cilin ata e konsiderojnë të padrejtë e çnjerëzor. Në mikrofonin tonë, Michele Telaro, kryetar i projektit të Mjekëve pa Kufij në Lesbo:

Përgjigje: - Sigurisht vizita e Papës është abosolutisht e mirëpritur. E unë shpresoj se Ati i Shenjtë do t’ia dalë mbanë t’i zgjojë ndërgjegjet e opinionit publik e të autoriteteve. Pastaj, ndershmërisht, nuk besoj se vizita e Papës mund ta bëjë Bashkimin Evropian të ndërrojë mendim, sepse vullneti politik, i vënë në lojë, është tepër i fortë dhe i dukshëm. Papa kërkon “ura, jo mure”, por në këtë çast Bashkimi Evropian dëshiron pikërisht të ngrejë mure e t’i kthejë mbrapsht këta njerëz, t’i mbyllë kufijtë e, në një farë mënyre, synon t’ua lëshojë mbi shpinë të tjerëve ndihmën humanitare dhe mbrojtjen ndërkombëtare, siç po bën me Turqinë.

Pyetje: - Të nesërmen e marrëveshjes, nënshkruar ndërmjet Bashkimit Evropian e Ankarasë, Mjekët pa Kufij vendosën menjëherë ta mbyllin veprimtarinë e tyre në hotspotin e Morias. Vijon ende kjo situatë? Domethënë, ju jeni akoma në ishullin Lesbos, por jo në Moria?

Përgjigje: - Po, pikërisht. E vijojmë veprimtarinë jashtë hotspotit të Morias, por e ndërpremë atë, që bënim brenda. Vijojmë ta monitorojmë vazhdimisht situatën, sidomos atë shëndetësore, brenda Morias, për ta ruajtur nga rreziku i degjenerimit. Kjo ndodhi më 20 mars. Moria,  që ishte strukturë strehimi, nga një ditë më tjetrën, u shndërrua në strukturë burgimi, pa asnjë kumunikim zyrtar. Prej këndej, këta njerëz që ikën nga lufta, që bënë udhëtime të vështira për të arritur deri këtu, që rrezikuan jetën për të kapërcyer detin, që mbërrijnë me probleme fizike e trauma, që  ranë të flejnë në një qendër strehimi, ku u plotësoheshin nevojat kryesore, u zgjuan në burg. Për faje, që nuk i kanë bërë. Prandaj e ndërpremë menjëherë punën në Moria! Ku kushtet e jetesës tashmë janë krejtësisht të papranueshme. Njerëzve u mungon gjithçka e kampi është në kaos të plotë!








All the contents on this site are copyrighted ©.